Rusia ka nisur ta zgjerojë kontrollin në Ukrainën lindore. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka thënë se gjatë javës së ardhshme pret lajme të mira nga Perëndimi për armatosjen e trupave ukrainase, që mezi po mbajnë pozicionet në Donbas, derisa civilët po largohen nën breshërinë e plumbave
Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka deklaruar të dielën se forcat ruse kanë shkatërruar një depo të rëndësishme municioni në qytetin lindor të Ukrainës, Kryvyi Rih.
Duke folur gjatë konferencës së rregullt për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes tha se raketat ruse kanë goditur një depo të vendosur "brenda një prej ndërmarrjeve industriale" në qytet, në rajonin lindor të Ukrainës.
Shërbimet e urgjencës të Ukrainës konfirmuan të dielën se "një fabrikë industriale" në Kryvyi Rih ishte djegur pasi u godit nga dy raketa ruse, duke pësuar "dëmtime të konsiderueshme".
Një zëdhënës i Shërbimit Shtetëror të Emergjencave tha se nuk kishte viktima, por nuk specifikoi nëse uzina ishte objektiv ushtarak.
Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të dielën pamjet e asaj që tha se ishte lufta e njësive të artilerisë së rëndë.
Ndërkohë, luftimet e ashpra po vazhdojnë pranë Severodonjeckut në rajonin Luhansk, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Në njoftim thuhet, gjithashtu, se spitalet në Krimenë e aneksuar po pezullojnë pranimin e civilëve për t’i liruar shtretërit për ushtarët e plagosur rusë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, pret “lajme të mira” për furnizimin me armë të rënda nga Perëndimi javën e ardhshme. Zelenskyy, gjithashtu, pranoi se situata në vijën e frontit në Donbas dhe pjesë të rajonit të Kharkivit është “tepër e vështirë” për ushtrinë ukrainase. Ai gjithashtu akuzoi forcat ruse se po përpiqen ta parandalojnë "largimin" e ukrainasve nga zonat e pushtuara të rajonit të Khersonit në jug.
Përpjekjet për ndërmjetësim
Ndërsa ofensiva e tij po zhvillohet, presidenti rus, Vladimir Putin, u bëri presion liderëve evropianë që të ndalonin armatosjen e ukrainasve dhe fajësoi sanksionet perëndimore për krizën globale ushqimore në zhvillim.
Kremlini tha se Putini e shtyu çështjen e tij në një telefonatë 80-minutëshe të shtunën me liderët e Francës dhe të Gjermanisë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse dhe i bën thirrje Putinit të angazhohet në negociata serioze dhe të drejtpërdrejta me Zelenskyyn për përfundimin e luftimeve.
Kremlini tha se Putini konfirmoi “hapjen e palës ruse ndaj rifillimit të dialogut”. Tre liderët, të cilët kishin kaluar javë pa folur gjatë pranverës, ranë dakord të mbesin në kontakt. Por përparimi i fundit i Rusisë në Ukrainën lindore mund ta inkurajojë më tej Putinin.
“Nëse Rusia do të kishte sukses në marrjen e këtyre zonave, me shumë gjasa do të shihej nga Kremlini si arritje thelbësore politike dhe do t'i portretizohej popullit rus si justifikim i pushtimit”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Ngujimi i civilëve
Rusia ka intensifikuar përpjekjet për t’i kapur qytetet e Sievierodonjeck dhe Lysychansk aty pranë, të cilat janë zonat e fundit kryesore nën kontrollin ukrainas në Luhansk.
Guvernatori i Luhanskut, Serhii Haidai, raportoi se luftëtarët ukrainas zmbrapsën një sulm në Sievierodonenjk. Ai më vonë tha se forcat ruse kishin kapur një hotel në periferi të qytetit, kishin dëmtuar 14 ndërtesa të larta dhe po luftonin në rrugë me forcat ukrainase.
Kryetari i bashkisë së Sievierodonjeck, Oleksandr Striuk, tha se kishte përleshje në stacionin e autobusëve të qytetit. Një qendër humanitare nuk mundi të funksiononte për shkak të rrezikut dhe shërbimi celular dhe energjia elektrike u ndërprenë. Dhe banorët rrezikuan ekspozimin ndaj granatimeve për të marrë ujë nga një gjysmë duzinë puse.
Disa rrugë furnizimi janë duke funksionuar dhe evakuimi i të plagosurve është ende i mundur. Janë 1.500 civilë të vrarë në qytetin që para luftës kishte një popullsi prej rreth 100.000 banorësh. Ata kanë vdekur edhe nga mungesa e ilaçeve dhe sëmundjeve që nuk mund të trajtoheshin.
Pikërisht në jug të Sievierodonjeckut, reporterët e “Associated Press” panë civilë të moshuar dhe të sëmurë në barela dhe që zbrisnin ngadalë shkallët e ndërtesave të apartamenteve në Bakhmut.
Svetlana Lvova, menaxherja e dy ndërtesave në Bakhmut, u përpoq t’i bindte banorët hezitues të largoheshin, por tha se ajo dhe burri i saj nuk do të evakuoheshin derisa djali i tyre, i cili ishte në Sievierodonjeck, të kthehej në shtëpi.
“Duhet të di që ai është gjallë. Kjo është arsyeja pse unë po qëndroj këtu”, tha Lvova, 66 vjeç.

Frika për një tjetër Mariupol
Të shtunën, njerëzit që arritën të largoheshin nga Lysychansku përshkruan bombardimet e intensifikuara, veçanërisht gjatë javës së kaluar, që ua pamundësoi të largoheshin nga strehimoret e bombave në bodrum.
Yanna Skakova u largua nga qyteti të premten me djemtë e saj 18 muajsh dhe 4 vjeç dhe qau ndërsa ishte ulur në një tren që shkonte për në Ukrainën perëndimore. Burri i saj qëndroi prapa për t'u kujdesur për shtëpinë dhe kafshët e tyre.
“Është shumë e rrezikshme të qëndrosh atje tani”, tha ajo, duke fshirë lotët.
Përparimi i Rusisë ngjalli frikën se banorët mund të përjetonin të njëjtat tmerre të parë në qytetin port juglindor të Mariupolit, i cili duroi një rrethim tre-mujor para se të binte javën e kaluar. Banorët që nuk kishin ikur ende u përballën me zgjedhjen: të përpiqeshin ta bënin këtë tani ose të qëndronin. Mariupoli u bë një simbol i shkatërrimit masiv dhe vuajtjes njerëzore, si dhe i vendosmërisë së Ukrainës për ta mbrojtur vendin.
Porti i Mariupolit thuhet se ka rifilluar funksionimin pasi forcat ruse përfunduan pastrimin e minave në Detin Azov. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass” raportoi se një anije e nisur për në Rostov-on-Don në Rusinë jugore hyri në port të shtunën herët.
Kriza ushqimore në rritje është përkeqësuar nga pamundësia e Ukrainës për të transportuar miliona tonelata drithëra dhe produkte të tjera bujqësore, pasi vendi po vazhdon të sulmohet nga Rusia.
Vendi është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por lufta dhe bllokada ruse e porteve e kanë ndalur pjesën më të madhe të këtij fluksi, duke rrezikuar furnizimet botërore të ushqimit. Shumë nga portet, gjithashtu, janë minuar.
Rusifikimi i Ukrainës lindore
Shumë nga fushat e rikthyera rreth qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, në pjesën verilindore të vendit, kanë mbetur djerrë. Forcat ruse dhe ukrainase ende po luftojnë në fshatrat në veri të qytetit dhe ende nuk ka filluar mbjellja në pjesën më të madhe të tokës bujqësore. Fushat e mbushura me predha artilerie të pashpërthyera ose shumë afër vijës së frontit janë kthyer në vende të rrezikshme për të shkelur me pajisjet bujqësore. Magazinat, ndërkaq, janë shkatërruar pothuajse krejtësisht.
Në telefonatën me Macronin dhe Scholzin, Putini theksoi se Rusia po punonte për të “krijuar një jetë paqësore në Mariupol dhe qytete të tjera të çliruara në Donbas”.
Autoritetet ukrainase kanë raportuar se zyrtarët e instaluar nga Kremlini në qytetet e pushtuara kanë filluar transmetimin e kanaleve ruse të lajmeve, kanë prezantuar kodet ruse të zonave, kanë importuar kurrikulën shkollore ruse dhe kanë ndërmarrë hapa të tjerë për t’i aneksuar zonat.
Zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin jugor të Khersonit janë zhvendosur në kohën e Moskës dhe "nuk do të kalojnë më në orën e ditës, siç është zakon në Ukrainë," citoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti, Krill Stremousov, zyrtar lokal i instaluar nga Rusia. duke thënë të shtunën.
Në fjalimin e tij të shtunën, Zelenskyy akuzoi gjithashtu forcat ruse për pengimin e banorëve të Khersonit që të largoheshin, duke thënë se ata në mënyrë efektive "përpiqen të marrin peng njerëzit" në një "shenjë dobësie".
Lufta ka shkaktuar mungesa globale të ushqimit, sepse Ukraina është një eksportues kryesor i drithit dhe mallrave të tjera. Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza se cila palë mban përgjegjësinë për mbajtjen e ngarkesave të lidhura, me Rusinë që thotë se minat e detit ukrainas penguan kalimin e sigurt dhe Ukraina duke përmendur një bllokadë detare ruse.