Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia zgjeron kontrollin në rajonin e Donbasit

Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka deklaruar të dielën se forcat ruse kanë shkatërruar një depo të rëndësishme municioni në qytetin lindor të Ukrainës, Kryvyi Rih.

Duke folur gjatë konferencës së rregullt për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes tha se raketat ruse kanë goditur një depo të vendosur "brenda një prej ndërmarrjeve industriale" në qytet, në rajonin lindor të Ukrainës.

Shërbimet e urgjencës të Ukrainës konfirmuan të dielën se "një fabrikë industriale" në Kryvyi Rih ishte djegur pasi u godit nga dy raketa ruse, duke pësuar "dëmtime të konsiderueshme".

Një zëdhënës i Shërbimit Shtetëror të Emergjencave tha se nuk kishte viktima, por nuk specifikoi nëse uzina ishte objektiv ushtarak.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të dielën pamjet e asaj që tha se ishte lufta e njësive të artilerisë së rëndë.

Ndërkohë, luftimet e ashpra po vazhdojnë pranë Severodonjeckut në rajonin Luhansk, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Në njoftim thuhet gjithashtu se spitalet në Krimenë e aneksuar po pezullojnë pranimin e civilëve për të liruar shtretërit për ushtarët e plagosur rusë.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, pret "lajme të mira" për furnizimin me armë të rënda nga Perëndimi javën e ardhshme.

Zelenski gjithashtu pranoi se situata në vijën e frontit në Donbas dhe pjesë të rajonit të Harkivit është "tepër e vështirë" për ushtrinë ukrainase. Ai gjithashtu akuzoi forcat ruse se po përpiqen të parandalojnë "largimin" e ukrainasve nga zonat e pushtuara të rajonit të Hersonit në jug.

Teksa forcat ruse po përparojnë me ofensivën për të marrë qytetet lindore të Ukrainës, civilët që arritën të iknin kanë përshkruar bombardimet e intensifikuara që ua pamundësuan qëndrimin nëpër bodrume.

Me djalin 18-muajsh në prehër, Yana Skakova s’i mbajti dot lotët teksa përshkroi se si jetonte në një bodrum nën bombardime të pamëshirshme dhe duhej t’ia kthente shpinën burrit kur iku me foshnjën dhe djalin katërvjeçar.

Policia i evakuoi nga bodrumi ku jetonin gjithsej 18 persona, përfshirë nëntë fëmijë, prej dy muajsh e gjysmë.

Të paktën gjatë pesë ditëve të fundit, civilët nuk kishin mundur të dilnin fare nga bodrumi.

Pavarësisht bombardimeve, mungesës së energjisë elektrike, gazit dhe ujit, askush nuk donte të largohej.

Artikuj të ngjashëm