Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë hasur në rezistencë më të ashpër dhe humbje më të rënda sesa pritej. Deri më tani, Ushtria ruse ka bërë përparimet më të mëdha në qytetet në jug dhe lindje, ndërsa ka ngecur në veri dhe rreth Kievit
Rusia ka zgjeruar ofensivën e saj në Ukrainë, duke goditur pistat e aeroporteve në perëndim dhe në qytetin industrial të lindjes, teksa kolona e gjatë e automjeteve të blinduara që gjendet në periferi të Kievit ka nisur të lëvizë të premten. Këto automjete janë pozicionuar në pyje dhe qytezat përreth kryeqytetit ukrainas.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj u përgatitën për të izoluar edhe më tej Rusinë me sanksione edhe më të ashpra. Të premten, ia kanë hequr statusin e saj më të favorizuar tregtar. Mirëpo, me pushtimin tashmë në ditën e 16-të, Rusia është përpjekur të rigrupojë ushtrinë dhe të rifitojë vrullin me bombardime të zgjeruara dhe me shtrëngim të rrethimit të qyteteve tashmë të bombarduara, sidomos qytetin strategjik të Mariupolit.
Ushtria pushtuese e Rusisë ka vazhduar bombardimin e Mariupolit dhe qyteteve të tjera të rrethuara. Mijëra civilë janë ngujuar nëpër bodrume kur u janë pakuar buka dhe uji. Bombardimet e vazhdueshme kanë detyruar banorët e qytetit jugor të Ukrainës që të shmangin daljen në rrugë. Të gjithë janë nëpër strehimore.
Zjarrfikësit kanë shpëtuar një grua nga ndërtesa e shkatërruar, ndërkaq nga rrënojat është nxjerrë edhe një fëmijë. Baza e zjarrfikësve është bombarduar vetëm një ditë pas bombardimit të spitalit të fëmijëve.
Aleksander Ivanov, banor i Mariupolit, ishte prej të paktëve që shihej duke lëvizur në rrugët e qytetit. “Nuk kam më shtëpi. Prandaj po lëviz. Për çka tjetër do të dilja këtu”, ka thënë ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të ketë pasur disa zhvillime pozitive në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Ka shtuar se bisedimet janë zhvilluar pothuajse në baza ditore.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se forcat ukrainase kanë arritur një pikë kthese strategjike, ani pse për këtë sukses nuk ka ofruar detaje.
“Është e pamundur të thuhet se sa ditë do të na duhen ende për të çliruar tokën tonë, por është e mundur të thuhet se do ta bëjmë këtë”, ka thënë ai përmes një videoje nga Kievi.
Ai ka thënë gjithashtu se autoritetet po punonin në krijimin e 12 korridoreve humanitare dhe se janë duke u përpjekur të sigurojnë që ushqimi, ilaçet dhe gjërat e tjera bazë të arrijnë te njerëzit në të gjithë vendin.
Dështimi i Rusisë
Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë hasur në rezistencë më të ashpër dhe humbje më të rënda sesa pritej. Deri më tani, Ushtria ruse ka bërë përparimet më të mëdha në qytetet në jug dhe lindje, ndërsa ka ngecur në veri dhe rreth Kievit.
Sulmet e së premtes kishin cak perëndimin, larg zonave kryesore të betejës. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka thënë se Rusia përdori armë me saktësi të lartë dhe me rreze të gjatë për të vënë “jashtë veprimit” aeroportet ushtarake në Lutsk dhe Ivano-Frankivsk.
Sulmet në Lutsk kanë vrarë katër ushtarakë ukrainas dhe plagosën gjashtë të tjerë, ka thënë kryetari i bashkisë së Lutskut, Ihor Polishchuk. Në Ivano-Frankivsk, banorët u urdhëruan në strehimore në një alarm për sulm ajror.
Sulmet ajrore ruse synuan gjithashtu për herë të parë qytetin lindor të Dnipros, një qendër e madhe industriale dhe qyteti i katërt më i madh i Ukrainës, i vendosur në lumin Dnieper. Tre sulme goditën, duke vrarë të paktën një person, sipas këshilltarit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Heraschenko.
Howitzers u tërhoqën në pozicion për të hapur zjarr dhe njësi të blinduara u panë në qytete pranë Aeroportit Antonov në veri të qytetit, sipas Maxar Technologies, kompania që prodhoi imazhet.
Linja 40 milje (64 kilometra) e tankeve dhe e automjeteve të tjera ishte grumbulluar jashtë Kievit në fillim të javës së kaluar. Por, përparimi i saj ishte ngecur mes raporteve për mungesë ushqimi dhe karburanti dhe sulme nga trupat ukrainase me raketa antitank.
Qëllimi i lëvizjes së fundit ishte i paqartë, megjithëse Rusia pritet gjerësisht që përfundimisht të përpiqet ta rrethojë kryeqytetin. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka deklaruar se pasi kishin bërë “përparim të kufizuar”, forcat ruse po përpiqen të “rivendosin” trupat e tyre, duke u përgatitur për operacione kundër Kievit. Mirëpo, Nick Reynolds, analist i luftës tokësore në institutin britanik të mbrojtjes Royal United Services Institute, ka thënë se masa, pjesërisht, duket si një përpjekje e trupave për t'u mbrojtur më mirë duke u shpërndarë. Ai ka shtuar se kjo mund të tregojë se rusët nuk janë gati ta rrethojnë shpejt qytetin. Ndërkohë, Rusia po shton bombardimet dhe po rigrupon forcat e saj në terren. “Tashmë është e shëmtuar, por do të përkeqësohet”, ka thënë Reynolds. Moska, gjithashtu, tregoi se planifikon të sjellë në konflikt luftëtarët nga Siria. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se Rusia dinte për më shumë se 16.000 aplikime nga vendet e Lindjes së Mesme, shumë prej tyre nga njerëz që kishin ndihmuar Rusinë kundër grupit të Shtetit Islamik.
Që nga viti 2015, forcat ruse kanë mbështetur presidentin sirian, Bashar Assad, kundër grupeve të ndryshme që kundërshtojnë sundimin e tij, përfshirë Shtetin Islamik.
Ashpërsimi i sanksioneve
Në frontin e sanksioneve, revokimi i statusit tregtar të “kombit më të favorizuar” të Rusisë nga SHBA-ja dhe vendet e tjera, do të lejonte tarifa më të larta për disa importe ruse. Sanksionet perëndimore i kanë dhënë tashmë një goditje të rëndë Rusisë, duke bërë që rubla të bjerë, bizneset e huaja të largohen dhe çmimet të rriten ndjeshëm. Putini ka këmbëngulur se Rusia mund t’i durojë sanksionet. Në Siri, Rusia mbështeti Qeverinë në imponimin e rrethimeve të gjata, brutale të qyteteve të kontrolluara nga opozita, duke shkaktuar shkatërrime të rënda dhe duke shkaktuar viktima të shumta civile. Kjo histori, së bashku me rrethimin e Mariupolit, ka ngritur frikën për gjakderdhje të ngjashme në Ukrainë. Temperaturat u ulën nën zero në pjesën më të madhe të Ukrainës dhe parashikohej të arrinin në -13 gradë Celsius në qytetin lindor të Kharkivit, i cili është nën bombardime të rënda. Rreth 400 ndërtesa apartamentesh në Kharkiv kanë humbur ngrohjen dhe kryebashkiaku Ihor Terekhov u ka bërë thirrje banorëve të mbetur të zbresin në metro ose strehimore të tjera nëntokësore ku shpërndaheshin batanije dhe ushqime të ngrohta. Përpjekjet e përsëritura për të dërguar ushqime dhe ilaçe dhe për të evakuuar civilët nga qyteti me 430.000 banorë i Mariupolit janë penguar nga sulmet e vazhdueshme dhe zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, ka thënë se numri i të vdekurve atje ishte më shumë se 1.300. Rreth 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, që nga fillimi i pushtimit, sipas Kombeve të Bashkuara.
Diaspora e fuqishme
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka thënë se 215 mijë ukrainas nga diaspora janë kthyer për ta mbrojtur shtetin e tyre nga pushtimi rus. Në forumin e diplomacisë, që po mbahet në Turqi, Shmyhal ka thënë se të gjithë ukrainasit janë bërë një për të mbrojtur shtetin. Ai ka thënë se operacioni rrufe për të marrë kontrollin e Ukrainës i ka dështuar Rusisë. Tani, sipas tij, secili qytet është shndërruar në fortesë kundër pushtuesve.
Macron: Do ta ndihmojmë Ukrainën
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se objektivi kryesor i Bashkimit Evropian është “një kthim i shpejtë në paqe, duke filluar me armëpushimin e ndjekur nga një tërheqje e shpejtë e trupave ruse”. Macroni këtë deklaratë e ka bërë pas takimit të sotëm të Këshillit të BE-së, në Francë. Udhëheqësi francez ka thënë se kjo është arsyeja pse blloku po vazhdon presionin ndaj Rusisë dhe gjithashtu po mban një dialog shumë kërkues, veçanërisht në lidhje me kancelaren gjermane. Ai ka shtuar se BE-ja ka propozuar një lehtësi evropiane prej rreth 500 milionë eurosh ndihmë shtesë për Ukrainën.
Batalioni i tankeve
Ushtria ukrainase ka shpallur fitore ndaj batalionit të tankeve që ishte pozicionuar në hyrjen lindore të Kievit. Në pamjet me dron nga batalioni Azov i Ukrainës, shiheshin tanket e pozicionuara në një autostradë dhe disa prej tyre janë bombarduar nga Ushtria ukrainase. Njësiti special “Azov” ishte formuar në vitin 2014 nga ekstremisti i krahut të djathtë, Andriy Biletsky në fillim të luftës me separatistët rusë në lindje të Ukrainës. Njësiti special është bërë pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës dhe shumë prej pjesëtarëve janë pjesë të partisë politike të krahut të djathtë.
Ankthi i Moldavisë
Moldavia është shndërruar në një prej qendrave më të mëdha për strehimin e familjeve ukrainase që kanë ikur nga lufta në vendin e tyre. Ish-shteti sovjetik është duke u përballur me fluksin e madh të refugjatëve. Mirëpo, Moldavia po i pret krahëhapur ukrainasit. Ani pse është shtet i vogël dhe me shumë probleme, vullnetarët janë aktivizuar për të nxitur valën e solidaritetit kombëtar. Ama, ndikimi rus mbetet shumë i fuqishëm në disa pjesë të vendit. 75 për qind e popullsisë e cilëson veten si moldov, ndërkaq pjesa e mbetur janë kryesisht ukrainas, gagauz dhe rus. Shumica e njerëzve gagauzë jetojnë në rajonin e pavarur të Gagauzisë në jug të Moldavisë. Gjuha e tyre është rusishtja. Ani pse shumica e njerëzve përkrahin Rusinë, ata janë të mendimit se presidenti rus Vladimir Putin e ka tepruar me pushtimin e Ukrainës që ka nxitur frikën se Moldavia mund të jetë shteti i radhës që pushtohet nga Rusia. Ani pse nuk e ka në plan të bëhet anëtare e NATO-s, Moldavia zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fillim të muajit mars me qëllim që t’i forcojë lidhjet me Perëndimin dhe ta shmangë Rusinë.
Pasojat e pushtimit
Qëkur Perëndimi vendosi sanksionet e ashpra ndaj Rusisë, rusët e zakonshëm janë duke i ndier pasojat – që prej ngritjes së madhe të çmimeve e deri te pamundësia për të blerë gjëra të caktuara. Kompanitë gjigante të veshjeve dhe të produkteve ushqimore kanë mbyllur të gjitha dyqanet, duke izoluar krejtësisht qendrat tregtare nëpër Rusi. Brendet, si Zara, Coca-Cola dhe Apple, kanë braktisur Rusinë, duke nxitur reagime të mëdha, por edhe thirrje që edhe kompanitë e tjera perëndimore ta braktisin tregun rus. Ekonomia e Rusisë ka vazhduar të tkurret në ditët e fundit. Banka qendrore e Rusisë ka ndërhyrë për të forcuar rublën dhe sistemin bankar. Ka ndaluar tërheqjet e parave të huaja dhe ka mbyllur bursën e aksioneve për gati dy javë. Qeveria ruse, gjithashtu, ka vendosur masa për të parandaluar ikjen e investitorëve të huaj nga Rusia.