Forcat ruse janë duke shkuar në drejtim të më tepër fshatrave e qyteteve në lindje dhe juglindje të Ukrainës, ndërsa Moska po tenton të shfrytëzojë avantazhin aktual të armëve dhe trupave, kanë thënë zyrtarët e Kievit të enjten, raporton agjencia "AP".
Përkundër këtij momenti të suksesshëm të Rusisë në fushëbetejë, Ukraina pretendon se ka rrëzuar 11 aeroplanë luftarakë rusë në më pak se dy javë.
Ndërsa lufta është futur në vitin e tretë, forcat ruse po detyrojnë trupat ukrainase të tërhiqen nga disa vende, duke vendosur sasi të mëdha të artilerisë e trupave.
Ndonëse përparimet e Rusisë kanë qenë të vogla, të ngadalshme dhe me kosto të lartë, Ukraina nuk ka mjaftueshëm rezervistë dhe ka mungesë të predhave të artilerisë pasi ndihma ushtarake nga partnerët perëndimorë është zbehur e po vonohet.
Ushtria ruse po mundohet të marrë nën kontroll qytetet dhe fshatrat e Tonenkes, Orilvkas, Semenivkas, Berdychit dhe Krasnohorivkas në rajonin lindor të Donetskut, ka thënë shefi i Ushtrisë së Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi.
Këto janë vendet që zyrtarët e ushtrisë ukrainase thanë se do të formonin një linjë të re të mbrojtjes, pasi trupat ukrainase u tërhoqën nga Avdivka më 17 shkurt.
Në rajonin juglindor të Zaporizhzhias, forcat ruse po përqëndrohen të rimarrin Verboven dhe Robotynen, qytete që Ukraina i riktheu në kundërofensivën e verës së kaluar, ka thënë Syrskyi.
Syrskyi është caktuar më 8 shkurt nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për ta udhëhequq ushtrinë ukrainase, pas akuzave se disa komandues po bëjnë “keqkalkulime” në vlerësimin e armikut dhe marrjen e kundërmasave.
Komandanti i forcës ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, ka thënë se njësitet e tij kanë rrëzuar gjatë 24 orëve të fundit dy aeroplanë luftërakë rusë Su-34.
Ai ka thënë se shifra totale e aeroplanëve të rrëzuar ka arritur në 11 që nga 17 shkurti, përfshirë këtu edhe një aeroplan zbulues A-50.
“Armiku ka rritur prezencën ajrore në lindje. Lidershipi ynë ushtarak ka reaguar sipas kësaj”, ka thënë zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat.