Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se mbrojtja e qytetit Pokrovsk është “prioritet”, teksa forcat speciale elite u vendosën në qytetin e rrethuar në linjën e frontit lindor.
Burime të ushtrisë ukrainase i kanë thënë BBC-së se forcat speciale nga inteligjenca ushtarake dhe grupet e sulmit po përdoreshin si këmbësori e rregullt për të mbrojtur linjat e furnizimit për trupat që mbanin qytetin në rajonin e Donbasit.
Ka pasur raportime të shtuara për përparime ruse rreth qytetit strategjik në perëndim të Donetskut. Ukraina ka mohuar pretendimet se forcat e saj janë rrethuar.
Moska dëshiron që Kievi të heqë dorë nga i gjithë rajoni i Donbasit si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, duke përfshirë pjesët që aktualisht nuk i kontrollon.
Rusia kontrollon aktualisht rreth një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë Krimenë që e aneksoi në 2014.
Vendosja e forcave speciale sugjeron se zyrtarët në Kiev janë të vendosur të përpiqen ta mbajnë qytetin, të cilin Rusia është përpjekur ta pushtojë për më shumë se një vit.
Media lokale kanë raportuar se shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, ishte në rajon për të mbikëqyrur personalisht operacionin.
Pokrovsku është qendër transporti dhe furnizimi kyç, aneksimi i të cilit mund të zhbllokojë përpjekjet ruse për të pushtuar pjesën tjetër të rajonit.
Por Kievi beson gjithashtu se aneksimi i tij do të ndihmonte Rusinë në përpjekjet e saj për të bindur SHBA-në se fushata e saj ushtarake po shkon mirë - dhe se për këtë arsye Perëndimi duhet t’i pranojë kërkesat e saj.
Uashingtoni është bërë gjithnjë e më i frustruar me dështimin e Kremlinit për të ecur përpara me negociatat e paqes. Gjithçka kulmoi kur presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës ruse dhe anuloi planet për një samit me presidentin rus, Vladimir Putin.
Zelensky ka treguar se është i hapur për propozimin e Trumpit për një armëpushim që do të ngrinte luftën përgjatë linjave aktuale të frontit. Rusia ka insistuar publikisht që trupat ukrainase duhet të largohen nga pjesa tjetër e Donbasit.
Në fjalimin e tij shtunën, presidenti ukrainas ka thënë se “Pokrovsku është prioriteti”.
“Ne vazhdojmë të shkatërrojmë okupatorin dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi... Ata duhet të ndalen aty ku kanë arritur - dhe të shkatërrohen aty”, ka thënë Zelensky.
Imazhet e ndarë me agjencitë e lajmeve kanë shfaqur një helikopter Black Hawk ukrainas që vendos 10 trupa afër Pokrovskut, megjithëse vendndodhja dhe data nuk mund të verifikoheshin.
E Ministria Ruse e Mbrojtjes ka thënë se e ka penguar vendosjen e forcave speciale të inteligjencës ushtarake ukrainase në veri-perëndim të qytetit, duke vrarë të gjithë 11 trupat që u ulën me helikopter.
“DeepState”, një grup monitoruesish ukrainas, vlerëson se rreth gjysma e Pokrovskut është një zonë e ashtuquajtur “gri” ku asnjëra palë nuk ka kontroll të plotë.
Një burim ushtarak në Donetsk i ka thënë BBC-së se forcat ukrainase nuk ishin rrethuar, por linjat e tyre të furnizimit ishin nën zjarr nga trupat ruse.
“Situata në qytet ka ndryshuar aq shumë sa që [komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Gjenerali Oleksandr] Syrsky tani po dërgon njësi elite në qytet për ta stabilizuar”, ka thënë ai.
Këto përfshinin forcat speciale dhe njësitë e sulmit në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës (GUR), ka thënë ai.
“Forcat e Armatosura ukrainase nuk janë në një rrethim fizik, por në një rrethim operacional - kjo do të thotë se e gjithë logjistika është nën kontroll”, ka thënë ai.
Instituti amerikan për Studimin e Luftës ka thënë forcat ukrainase kishin “përparuar marginalisht” gjatë kundërsulmeve të fundit në veri të Pokrovskut, por ka theksuar se qyteti ishte “kryesisht një zonë 'gri' të kontestuar”.