Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia për konfliktin në Nagorno-Karabakh: Po përpiqemi ta stabilizojmë situatën

Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse konfirmoi konfliktin e ri në Nagorno-Karabakh midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe akuzoi Bakun për shkelje të marrëveshjes së vitit 2020, shkruan BBC.

Në raportin e rregullt të forcave paqeruajtëse të Federatës Ruse, aktivitetet e të cilave në Nagorno-Karabakh u përcaktuan me marrëveshjen e paqes të nëntorit 2020, thuhet se forcat ruse vazhdojnë të kryejnë detyra në Nagorno-Karabakh në 27 pika në rajon.

Megjithatë, të mërkurën u shënua një shkelje e rëndë e armëpushimit, për të cilën Rusia ka akuzuar Azerbajxhanin.

"Situata është përkeqësuar në zonën e përgjegjësisë së kontingjentit. Në zonën e Saribabës, regjimi i armëpushimit është shkelur nga forcat e armatosura të Azerbajxhanit. Komanda e kontigjentit paqeruajtës rus, së bashku me përfaqësuesit e Azerbajxhanit dhe Armenisë, po merr masa për të stabilizuar situatën”, thuhet në raport.

Me rastin e përshkallëzimit të konfliktit, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi se forcat e këtij vendi kryen një operacion të quajtur “Hakmarrja”.

“Anëtarët e grupit të armatosur armen u përpoqën të kapnin kodrën e Kirgizit, e cila ndodhet në vargmalin që mbulon territorin e Kelbajarit dhe Laçinit dhe të vendosin aty pozicione të reja luftarake. Si rezultat i operacionit “Hakmarrja”, forcat azerbajxhanase pushtuan kodrën e Kirgizit, dhe një numër postesh të tjera komanduese në zonat malore dhe i vunë nën kontroll”, ka thënë pala azerbajxhanase.