Azerbajxhani ka thënë se veprimet ushtarake në Nagorno-Karabakh po vazhdojnë për të dytën ditë pasi nisi të martën operacione “anti-terroriste” në zonë, shkruan BBC.
Azerbajxhani ka thënë se nuk do të ndalet derisa separatistët etnikë armenë të dorëzohen.
Tensionet në Kaukazin e Jugut kanë qenë të larta për muaj të tërë rreth enklavës së shkëputur, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
Azerbajxhani dhe Armenia nisën luftën për herë të fundit tre vjet më parë.
Në një deklaratë të mërkurën në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka thënë se pajisjet ushtarake që i përkisnin forcave të armatosura armene ishin “neutralizuar”, duke përfshirë automjete ushtarake, artileri dhe instalime raketash kundërajrore.
Edhe
Rreziku për një luftë të re
Të martën, Baku urdhëroi “formacionet ilegale ushtarake armene” të dorëzonin armët dhe të shpërndanin “regjimin e tyre të paligjshëm”.
Azerbajxhani dhe Armenia fillimisht hynë në luftë në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Më pas, në vitin 2020, Azerbajxhani rimori zonat në dhe rreth Nagorno-Karabakh, përpara se të binte dakord për armëpushim dhe të monitorohej nga paqeruajtësit rusë.
Armenët etnikë në Karabakh bënë thirrje të martën për armëpushim dhe për fillimin e bisedimeve. Por ishte e qartë nga ultimatumi i Azerbajxhanit se qëllimi i Bakut ishte të përfundonte pushtimin e enklavës malore.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan akuzoi Azerbajxhanin për fillimin e një operacioni tokësor që synon “spastrimin etnik”.
Por qindra protestues armenë, të zhgënjyer nga përgjigja e vendit të tyre, u përleshën me policinë jashtë parlamentit në Jerevan, duke dënuar liderin e tyre si tradhtar dhe duke i bërë thirrje të jepte dorëheqjen.
Azerbajxhani ka thënë se bisedimet mund të fillojnë në qytetin Yevlakh, rreth 100 km në veri të kryeqytetit rajonal të Karabakut, Khankendi, i quajtur Stepanakert nga armenët etnikë.
Edhe
Putini i gatshëm të ndihmojë në arritjen e paqes ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë
Që nga fundi i vitit 2020, 3 mijë rusë kanë monitoruar armëpushimin e brishtë, por vëmendja e Moskës është devijuar nga pushtimi i saj i Ukrainës.
Rreth 120 mijë armenë etnikë jetojnë në enklavën malore. Rusia ka thënë se ushtarët e saj kishin zhvendosur pothuajse 500 civilë nga zonat më të rrezikuara, ndërsa separatistët thanë se kishin ndihmuar në lëvizjen e gjithsej 7 mijë njerëzve.