Armenia dhe Azerbajxhani do të mbajnë një rund të ri bisedimesh në Uashington të dielën në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet, ka thënë të shtunën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme armene, shkruan Reuters.
Tensionet po rriten përsëri midis dy vendeve për rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakhut, ku paqeruajtësit rusë janë vendosur në vitin 2020 për t'i dhënë fund një lufte, e dyta që Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për enklavën që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991.
Rajoni malor njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por i populluar kryesisht nga armenë etnikë.
“Nga 30 prilli, ministri i Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan, do të jetë për një vizitë pune në Uashington. Rundi tjetër i bisedimeve për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit është planifikuar”, kanë thënë nga qeveria aermene.
Azerbajxhani nuk e konfirmoi menjëherë takimin.
Pavarësisht përpjekjeve prej vitesh për të ndërmjetësuar mes tyre, Armenia dhe Azerbajxhani nuk kanë arritur ende një marrëveshje paqeje për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura si demarkacioni i kufirit dhe kthimi i të burgosurve.
Edhe
Rreziku për një luftë të re
Azerbajxhani ngriti një pikë të re kontrolli në rrugën për në Karabakh, Korridorin Lachin, të dielën e kaluar, një veprim që Armenia e quajti një shkelje flagrante të armëpushimit të vitit 2020, që u ndërmjetësua nga Rusia.
Deri tani, meqë bëhet fjalë për dy republika ish-sovjetike, Rusia është përpjekur herë pas here të ndërmjetësojë për paqe. Rusia ka trupa ushtarakë paqeruajtës në rajon. SHBA-ja tani po përpiqet të zgjidhë çështjen, e cila do t’i jepte mjaft pikë në politikën e jashtme.