Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar një ligj të mërkurën që do t’u lejojë autoriteteve të konfiskojnë para, gjëra të vlefshme dhe asete tjera nga njerëzit që dënohen për shpërndarje “të informatave false” për ushtrinë ruse, raporton agjencia “AP”.
Projektligji kishte kaluar nëpër dhomat e ulëta dhe të larta të Parlamentit të Rusisë, dhe kishte marrë përkrahje unanime nga dhoma e lartë javën e kaluar.
Kryetari i dhomës së ulët, Vyacheslav Volodin, ka thënë se masa përfshin dënime më të ashpra për “tradhtarët që hedhin baltë ndaj shtetit tonë dhe ushtarëve” dhe “do t’u largojë atyre të poshtërve titujt e nderit, do t’u konfiskojë asetet, paratë dhe gjërat e vlefshme”.
Zyrtarët rusë kanë përdorur ligjin aktual kundër “diskreditimit” të ushtrisë që mbulon shkeljet si “justifikim i terrorizmit” dhe “shpërndarje të informatave false” për forcat e armatosura, për t’i heshtur kritikët e Putinit. Aktivistë të shumtë, blogerë dhe rusë të zakonshëm kanë marrë dënime të gjata me burgim.
Ligji i ri për konfiskim do të aplikohet ndaj atyre që publikisht kanë iniciuar “aktivitete ekstremiste” dhe kanë bërë thirrje për veprime që dëmtojnë sigurinë e shtetit apo “diskreditojnë” forcat e armatosura. Diskreditimi i ushtrisë ruse është bërë vepër penale sipas ligjit të miratuar si pjesë e masave të qeverisë së Rusisë për t’i shtypur pakënaqësitë pasi Moska dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “TASS” ka thënë se nëse dikush dënohet sipas ligjit të ri, vetëm paratë, asetet dhe pronat “e fituara nëpërmjet krimit” apo të përdorura për aktivitete kundër sigurisë kombëtare të Rusisë mund të konfiskohen.
-
Sulmet ukrainase - Putini lëshon dekret që lejon kontrollin shtetëror të objekteve kyç
-
Putin nënshkruan ligj të ri për forcimin e kontrollit të FSB-së mbi internetin
-
Putini lëshoi një dekret, tani mijëra ukrainas përballen me humbjen e shtëpive të tyre
-
Putini rrit taksat për ta financuar luftën në Ukrainë
-
Putini premton armëpushim nëse Ukraina tërheq trupat nga zonat e aneksuara e heq dorë nga NATO-ja