Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar të hënën një dekret që i lejon qeverisë të marrë përkohësisht nën kontroll objektet e infrastrukturës kritike, nëse pronarët nuk arrijnë t'i mbrojnë ato nga sulmet me dronë ose t'i rikthejnë në funksion pas këtyre sulmeve.
Dekreti zbatohet për infrastrukturën e energjisë dhe karburanteve, objekteve industriale, të komunikimit, transportit, logjistikës dhe objekte të tjera.
Vendimi vjen në një kohë kur sulmet e pandërprera ukrainase në thellësi të territorit rus kanë në shënjestër rafineritë e naftës dhe objekte të tjera energjetike, si dhe magazinat e gjigantëve të tregtisë elektronike Wildberries dhe Ozon.
I pyetur për dekretin të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “shpesh pronarët e bizneseve nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme marrjes së masave për garantimin e sigurisë, përfshirë mbrojtjen kundër dronëve”.
“Duke pasur parasysh kërcënimin e dukshëm të sulmeve me dronë ndaj objekteve të infrastrukturës kritike dhe objekteve që kanë rëndësi thelbësore për ekonominë si dhe qëndrimin agresiv të Perëndimit ndaj Rusisë, ne duhet të marrim masa, duhet të garantojmë sigurinë tonë”, ka thënë Peskov.
Zëvendëskryeministri, Denis Manturov, ka sqaruar në një deklaratë të hënën në mbrëmje se dekreti nuk nënkupton shtetëzimin e kompanive apo ndryshimin e pronësisë, por vetëm “përfshirjen e shtetit në menaxhimin e një ndërmarrjeje për të zgjidhur probleme specifike të sigurisë”.
-
Moska miraton ligje për të forcuar mbrojtjen nga sulmet ukrainase
-
Zelensky: Ukraina do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës
-
Rusia godet gjashtë objekte energjetike në Ukrainë, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim
-
Zelensky: Ukraina do t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive nëse Rusia ndalon sulmet ndaj infrastrukturës
-
Putini kërcënon sërish Perëndimin me armë bërthamore