Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia lë prapa ushtarët e vdekur në Ukrainë

Ditët e para të ngrohta dhe me diell të pranverës në rajonin jugor të Mykolaivit po sjellin një realitet të ri të zymtë: erën e të vdekurve.

Teksa ngricat shkrihen, trupat e ushtarëve rusë të shpërndarë nëpër fusha po bëhen problem, ka raportuar rrjeti amerikan i lajmeve CNN të enjten.

Autoritetet në Mykolaiv u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në grumbullimin e kufomave të Ushtrisë ruse dhe t’i fusin nëpër qese.

Mykolaivi ishte nga rajonet e para që u sulmua pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Pasi u shtynë drejt qendrës, trupat ruse janë detyruar të largohen nga Ushtria ukrainase, duke lënë gjurmët e zeza të automjeteve dhe tankeve. Por, beteja për qytetin ende po vazhdon dhe është e paqartë për sa kohë do të jenë në gjendje forcat ukrainase t’i rezistojnë sulmit.

Rusët janë tërhequr dhe i kanë lënë trupat e kolegëve të tyre prapa në fushëbetejë.

Saktësisht se sa trupa rusë janë vrarë në Ukrainë mbetet mister. Numri zyrtar nga Rusia ishte 498 personel ushtarak, të hënën, derisa gazeta ruse “Komsomolskaya Pravda” publikoi raportin me 9.861 të vdekur.

Numri i të vdekurve rusë nga informacionet që ka marrë CNN nga zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s, është rreth 3000-10.000. Ukrainasit pretendojnë se shifra është shumë më e lartë se 15.000.

Ndërkaq të enjten, Rusia ka thënë se ka marrë në kontroll qytetin Izyum në rajonin Kharkiv të Ukrainës.

Këtë e ka mohuar administrata ukrainase e qytetit, duke u arsyetuar se luftimet po vazhdojnë.

Izyumi është një rrugë kyç për në rajonin lindor të Donbasit që potencialisht do ta lejonte lidhjen e forcave ruse në verilindje dhe juglindje.

Është një qendër rajonale në rajonin e Kharkivit me një popullsi prej rreth 50 mijë njerëzve dhe një kryqëzim i rëndësishëm hekurudhor.

Artikuj të ngjashëm