Rusia ka përdorur raketën balistike me kapacitet bërthamor “Oreshnik” gjatë një sulmi masiv ajror gjatë natës kundër Ukrainës. Në Kiev, katër persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën të enjten në mbrëmje, ndërsa shpërthime të fuqishme u dëgjuan për disa orë, raporton BBC.
Kjo është vetëm hera e dytë që Moska përdor raketën “Oreshnik”. Ajo u përdor për herë të parë në nëntor të vitit 2024, kur u godit qyteti qendror i Dnipros.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmi ishte një përgjigje ndaj një sulmi me dronë të Ukrainës ndaj rezidencës së presidentit Vladimir Putin në fund të dhjetorit, një akuzë që Kievi zyrtar e ka mohuar. Ministria nuk tregoi objektivin e saktë të raketës “Oreshnik”, por pak para mesnatës (22:00 GMT) në rrjetet sociale qarkulluan video që tregonin shpërthime të shumta në periferi të qytetit perëndimor të Lvivit.
Presidenti Volodymyr Zelensky dhe autoritetet ukrainase konfirmuan se një raketë balistike kishte goditur infrastrukturën në Lviv, rreth 60 kilometra nga kufiri me Poloninë.
“Oreshnik” është raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi, e aftë të arrijë deri në 5.500 kilometra.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se “një sulm i tillë kaq pranë kufirit të BE-së dhe NATO-s përbën një kërcënim serioz për sigurinë në kontinentin evropian dhe është një provë për komunitetin transatlantik”.
Ai shtoi se sulmi u krye “si përgjigje ndaj halucinacioneve të vetë Putinit”, duke iu referuar pretendimeve për sulmin me dronë ndaj rezidencës së presidentit rus.
Bashkimi Evropian shprehu menjëherë dyshime serioze nëse sulmi i pretenduar ndaj Putinit kishte ndodhur vërtet, ndërsa javën e kaluar Donald Trump deklaroi se nuk besonte se një sulm i tillë kishte ndodhur.
Zelensky tha se, përveç raketës “Oreshnik”, Rusia lëshoi edhe 13 raketa balistike të tjera që goditën objekte energjetike dhe infrastrukturë civile, si dhe 22 raketa lundruese dhe 242 dronë. Një prej tyre dëmtoi edhe një ndërtesë të ambasadës së Katarit.
Ai akuzoi Rusinë se sulmet kishin për qëllim jetën normale të njerëzve të zakonshëm, veçanërisht gjatë një periudhe të ftohtë, dhe theksoi se autoritetet po bëjnë gjithçka të mundur për të rikthyer ngrohjen dhe energjinë elektrike.