Rusia po e shënon të premten 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore me një paradë ku po merr pjesë edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Parada po mbahet nën masa të rrepta të sigurisë, siç thuhet, për t’u mbrojtur nga sulmet ukrainase, ka raportuar Reuters.
Presidenti Vladimir Putin, udhëheqësi më jetëgjatë i Kremlinit që nga Jozef Stalini, ka qëndruar krah për krah Xi-së, dhjetëra liderëve të tjerë dhe veteranëve rusë në një tribunë pranë mauzoleumit të Vladimir Leninit në Sheshin e Kuq, teksa trupat ruse kanë marshuar përpara.
Kremtimi mbetet nën hijen e luftës në Ukrainë, që është më vdekjeprurësja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ukraina sulmoi Moskën me dronë për disa ditë gjatë kësaj jave, megjithatë nuk ka pasur raporte për sulme të mëdha në Rusi gjatë ditës së premte.
Kremlini zyrtar ka njoftuar se pjesëmarrja e disa dhjetëra liderëve nga ish-Bashkimi Sovjetik, Afrika, Azia dhe Amerika Latine tregon se Rusia nuk është e izoluar, edhe nëse aleatët e saj të dikurshëm perëndimorë nga Lufta e Dytë Botërore janë distancuar. Nga Evropa, liderët e Serbisë dhe Sllovakisë morën pjesë.
“Fitorja ndaj fashizmit, e arritur me çmimin e sakrificave të mëdha, ka rëndësi të përhershme”, i ka thënë Putini Xi-së gjatë takimit të tyre në Kremlin të enjten.
“Sakrificat e pafundme të bëra nga të dy popujt tanë nuk duhet të harrohen kurrë”, ka vazhduar presidenti rus.
Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, por e shtyu forcën naziste deri në Berlin, ku Adolf Hitleri kreu vetëvrasje dhe flamuri i kuq i Fitores Sovjetike u ngrit mbi Reichstag (ndërtesën e Parlamentit) në vitin 1945.