Botë

Rrjedhja e dokumenteve të Supremes përçan SHBA-në rreth abortit

Gjatë kësaj jave ka rrjedhur draft-vendimi i Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila do ta ndalonte krejtësisht abortin. Kjo ka nxitur reagime të ashpra dhe një betejë të re kulturore në Amerikë për shkak se në disa shtete demokrate aborti ishte i lejuar me ligj. Dakota Jugore është në mesin e shteteve, si Teksasi, Kentucky, Ohio e Oklahoma, në të cilat republikanët kanë ndaluar përdorimin e pilulave të abortit. Në 19 shtete amerikane mjekët obligohen që të jenë prezentë kur pilulat e abortit u jepen pacienteve

Me rrethoja të hekurit është bllokuar qasja në ndërtesën e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të paralajmërimeve se do të ketë protesta të reja.

Të enjten, protestuesit kundër abortit janë lutur para gjykatës, ndërkaq gjatë tubimit të tyre, protestuesit për të drejtat e abortit kanë bllokuar të gjitha rrugët përreth Gjykatës Supreme.

Situata është përkeqësuar gjatë kësaj jave pas rrjedhjes së draftit të vendimit të Gjykatës Supreme për ta ndaluar abortin në gjithë SHBA-në.

Rrjedhja e draftit të vendimit ka zgjeruar fushën e luftës kulturore të SHBA-së në shtetet në të cilat abortimi lejohej prej kohësh.

Në shtetet demokrate, zyrtarët po përgatiten për një valë të sulmeve ligjore dhe manovra të tjera me të cilat synohet mohimi i abortit. Disa prej këtyre shteteve demokrate po bëjnë përpjekje që e drejta e abortit të përfshihet në kushtetutat e tyre me qëllim që ndalimi i abortit të pamundësohet në të ardhmen.

Shtetet republikane pritet ta ndalojnë ose ta kufizojnë abortin, mirëpo kanë nisur me një taktikë të re që të përfshihen në vendimmarrjen e shteteve demokrate, për t’ua vështirësuar vendimin për lejimin e aborteve.

Mundësia për t’i hequr të drejtat e abortit është shfaqur në shtetet me ndasi politike, përfshirë Pensilvaninë dhe Virgjinian.

Kalifornia dhe Kolorado kanë bërë presion për të mbrojtur të drejtën e abortit në kushtetutat e tyre, hap më i fuqishëm sesa lejimi i abortit nëpërmjet ligjit.

Betejë e ashpër mes dy taborëve politikë pritet të zhvillohet edhe për përdorimin e pilulave të abortit.

Në ditët e fundit është raportuar se përdorimi i pilulave kundër abortit është rritur ndjeshëm që prej vitit 2000, kur Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve lejoi përdorimin. Më shumë se gjysma e aborteve në SHBA tani realizohen me pilula, sesa me operacione kirurgjike.

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve gjatë vitit të kaluar shfuqizoi obligimin që gratë personalisht të blejnë pilulat e abortit. Transporti i pilulave me postë tani është i lejuar në gjithë SHBA-në.

Ky vendim ka shtuar punën e shërbimeve në internet që të ofrojnë më shumë informacione rreth pilulave të abortit dhe konsultimeve për të marrë përshkrimin e mjekut.

Dakota Jugore është në mesin e shteteve, si Teksasi, Kentucky, Ohio e Oklahoma, në të cilat republikanët kanë ndaluar përdorimin e pilulave të abortit.

Në 19 shtete amerikane mjekët obligohen që të jenë prezentë kur pilulat e abortit u jepen pacienteve.