U deshën dy udhëtime në linjat shtetërore, rrugëtim nëpër rrugët e akullta e një sërë ligjesh shtetërore, që gruaja 32-vjeçare nga Dakota e Jugut të merrte pilula aborti vitin e kaluar.
Mirëpo, kërkuesit e abortit si ajo, udhëtime të tilla, së bashku me pilulat e dërguara me postë, do të kenë rëndësi në rast se Gjykata e Lartë ndjek draft-opinionin e saj që do të rrëzonte vendimin historik Roe kundër Wade dhe do të lejonte që shtetet individuale ta ndalonin procedurën. Gruaja, e cila foli në kushte anonimiteti, ngaqë ishte e shqetësuar për sigurinë e familjes së saj, ka treguar se pilulat e abortit e lejuan atë t’i jepte fund një shtatzënie të papritur e me rrezik të lartë, si dhe të qëndronte e përkushtuar ndaj dy fëmijëve të saj.
Ama aktivistët dhe politikanët kundër abortit kanë thënë se këto udhëtime ndërkufitare, konsultimet e mjekëve në distancë dhe dërgesat e pilulave janë ato që ata do të përpiqen t’i ndalojnë më pas.
“Aborti me ilaçe do të jetë vendi ku vendoset qasja në abort”, ka theksuar Mary Ziegler, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Floridës, e specializuar në të drejtat riprodhuese. “Kjo do të jetë fusha e betejës që vendos se sa të zbatueshme janë ndalimet e abortit”.
Pilulat e abortit
Përdorimi i pilulave të abortit është rritur në SHBA që nga viti 2000 kur Administrata e Ushqimit dhe Barnave e miratoi mifepristonin – ilaçin kryesor që përdoret në abortet me ilaçe. Sipas Institutit Guttmacher, grup kërkimor që mbështet të drejtat e abortit, më shumë se gjysma e aborteve në SHBA tani bëhen me pilula e jo me kirurgji.
Vitin e kaluar, FDA-ja hoqi kërkesën e kahershme që gratë të marrin personalisht pilulat e abortit. Dërgimi i postës lejohet po ashtu në të gjithë vendin.
Këto lëvizje kanë nxitur shërbimet online që ofrojnë informacione për marrjen e pilulave të abortit dhe konsultime për të marrë recetë. Pasi gruaja në Dakotën e Jugut ka marrë vesh se klinika e vetme e abortit në shtet nuk mund ta caktonte në kohë për një abort me ilaçe, ajo gjeti shërbimin në internet, të quajtur Just The Pill, që e këshillonte të shkonte me makinë në Minesota për konsultë telefonike me një mjek. Një javë më vonë, ajo u kthye prapë në Minesota për pilulat.
Mori pilulën e parë pothuajse menjëherë në makinë, e më pas qau teksa po kthehej në shtëpi.
“Ndihesha sikur e humba shtatzëninë”, u shpreh ajo. “E dua bashkëshortin tim, i dua fëmijët e mi dhe e di saktësisht se kujt duhej t’i thosha lamtumirë, e kjo ishte vërtet një gjë e tmerrshme për ta bërë”.
Dakota e Jugut është në mesin e disa shteteve, duke përfshirë Teksasin, Kentakin, Arkansasin, Ohion, Tenesin dhe Oklahoma, ku republikanët kanë lëvizur për ta kufizuar qasjen në pilula për abortin muajt e fundit. Guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, ka bërë të ditur se nevojiten vizita të tjera personale për pilulat dhe ndalimi i dërgimit të tyre përmes postës për t’i mbrojtur gratë dhe për t’i shpëtuar “fëmijët e palindur”. Një total prej 19 shtetesh kërkojnë që një klinik mjekësor të jetë fizikisht i pranishëm kur pacientit i jepen pilulat e abortit.
Furnizimi nga shtete të tjera
Përveç kalimit të kufijve shtetërorë, gratë po ashtu mund t’u drejtohen farmacive online me bazë ndërkombëtare, ka thënë Greer Donley, profesor i specializuar në kujdesin e shëndetit riprodhues në shkollën juridike të Universitetit të Pitsburgut. Disa gra gjithashtu kanë marrë pilula të përshkruara të dërguara nëpër shtete pa kufizime.
“Ajo i mundëson dikujt të kryejë abort pa rol të drejtpërdrejtë të ofruesit. Do të jetë shumë më e vështirë për shtetet që ta kontrollojnë qasjen e abortit”, ka shpjeguar ajo, duke shtuar: “Pyetja është se si do të zbatohet?”.
Sue Leibel, drejtoresha e politikave shtetërore për Susan B. Anthony List, organizatë e shquar që kundërshton abortin, ka pranuar se është çështje qe ka “prekur” ligjvënësit e shtetit republikan.
“Ky është një kufi i ri dhe shtetet po përballen me mekanizmat e zbatimit”, ka thënë ajo, duke shtuar: “Këshilla që e jap gjithnjë – në qoftë se e mbyllni derën e përparme, pilulat i gjeni në derën e pasme”.
Kundërshtuesit e abortit kanë thënë se nuk e kanë ndërmend t’i ndjekin penalisht gratë që kërkojnë abort.
Në vend të kësaj, Leibel ka sugjeruar se objektivi tjetër për zbatimin e shtetit duhet të jenë farmacitë, organizatat dhe klinikat që ofrojnë pilulat e abortit. Ajo po ashtu ka vënë në dukje se kundërshtuesit e të drejtave të abortit duhet të fokusohen në zgjedhjen e një kandidati presidencial, i cili do të punonte për ta ndryshuar vendimin e FDA-së.
FDA-ja ka bërë të ditur se një rishikim shkencor mbështeti zgjerimin e qasjes në barna dhe zbuloi se komplikimet ishin të rralla. Agjencia ka raportuar 26 vdekje të lidhura me ilaçin që nga viti 2000, megjithëse jo të gjitha mund t’i atribuohen drejtpërdrejt ilaçit për shkak të kushteve ekzistuese shëndetësore dhe faktorëve të tjerë.
Megjithatë, me betejat e reja ligjore në horizont dhe kërkuesit e abortit që po bëjnë më shumë për ta marrë procedurën, Donley, profesori i shkollës juridike, u shqetësua se ligjvënësit e shtetit mund ta kthejnë vëmendjen e tyre përfundimisht drejt grave që marrin pilulat.
“Shumë ligjvënës kundër abortit mund ta kuptojnë se mënyra e vetme për t’i zbatuar këto ligje është të ndjekin penalisht vetë personin shtatzënë”, ka theksuar ajo.