Ofruesit e abortit duhej të prisnin këtë vit për një pasqyrë më të qartë të ligjshmërisë së abortit me telemjekësi. Votimi mbarëkombëtar në gusht ruajti një vendim të Gjykatës së Lartë të Kansasit, në prill të 2019-s, që qasja në abort është një e drejtë “themelore” sipas Kushtetutës së shtetit
(AP) - Një degë e “Planned Parenthood” ka njoftuar se ka filluar telekonferencat me mjekë jashtë vendit për pacientet që kërkojnë abort me ilaçe në një nga klinikat e saj në Kansas, hap i vogël drejt qasjes potencialisht shumë më të gjerë në një shtet që është bërë destinacion për procedurën pas një votimi në gusht, që pohon të drejtat e abortit.
“Planned Parenthood Great Plains” ka njoftuar se filloi të ofrojë konsultime telemjekësie për pacientet që vizitojnë klinikën e saj, “Wichita”. Presidentja dhe themeluesja Emily Wales ka thënë se qëllimi i menjëhershëm është që të ketë më shumë ditë që pacientet të mund të shkojnë atje për të kryer aborte me ilaçe. Ajo ka thënë se filiali i saj shpreson të ofrojë shërbimin për pacientet që vizitojnë dy klinikat e tjera të saj në anën e Kansasit të zonës së Kansas City-t “në një kohë të shkurtër” dhe përfundimisht t’i lejojë pacientet në zyrat e mjekëve dhe në klinikat në të gjithë shtetin që të telekonferencojnë me mjekët e tyre.
Lëvizja vjen pasi ofruesit e abortit në Kansas thonë se po shohin një lumë kërkesash për takime nga gratë në shtetet me kufizime më të forta për abortin sesa Kansas - veçanërisht Oklahoma dhe Teksas. Votuesit e Kansasit në gusht votuan me vendosmëri për ta ruajtur mbrojtjen kushtetuese të shtetit për të drejtat e abortit.
Njoftimi erdhi gjithashtu më pak se një muaj pasi një gjykatës i gjykatës shtetërore e kishte bllokuar zbatimin e ndalimit të Kansasit për abortet me telemjekësi. Faqja e internetit abortionfinder.org liston 26 shtete të tjera në të cilat banoret që kërkojnë ilaçe për abortin mund të bëjnë telekonferenca me mjekët, duke përfshirë Koloradon, Illinoisin, Iowan, Michiganin dhe Wyomingun. Sidoqoftë, për disa shtete, uebfaqja liston vetëm ofruesit e tabletave në internet, të tilla si Aid Access ose carafem.
“Vizioni im për abortin për mjekimin teleshëndetësor është i njëjtë me vizionin tim për abortin në përgjithësi, që është se ai do të ishte gjerësisht i qasshëm nga shumë ofrues”, ka theksuar Wales në një intervistë përpara njoftimit.
Ligji i bllokuar i Kansasit kërkonte që një mjek të ishte në të njëjtën dhomë me një paciente që merrte atë që zakonisht është e para nga dy dozat e ilaçeve për t’i dhënë fund shtatzënisë. Një tjetër ofrues, një klinikë “Wichita” e drejtuar nga grupi i të drejtave të abortit, Trust Women, ka ofruar aborte me telemjekësi për disa muaj më vonë në vitin 2018, mirëpo ndaloi, sepse klima ligjore ishte e pasigurt në atë kohë.
Trust Women gjithashtu pret të ofrojë aborte me telemjekësi, por ka thënë se po shqyrton se çfarë stafi dhe infrastrukturë shtesë do t’i nevojitet.
Tetëmbëdhjetë shtete kanë në fuqi ndalime për abortet me telemjekësi, sipas grupeve kombëtare në të dyja anët e debatit. Ato përfshijnë Arizonën, Indianën, Nebraskën dhe Karolinën e Veriut.
“Kansans for Life”, grupi më me ndikim politik i shtetit kundër abortit, iu përgjigj asaj që e quajti “njoftimin e errët” të Planned Parenthood duke premtuar se do të merrte në konsideratë “çdo mënyrë të mundshme veprimi”, duke përfshirë edhe legjislacionin.
Kundërshtarët e abortit kanë argumentuar prej kohësh se ndalimet e telemjekësisë mbrojnë shëndetin e grave duke siguruar që një mjek është i pranishëm për t’u marrë me problemet kryesore, megjithëse hulumtimet kanë treguar se pilulat e abortit janë të sigurta.
Qëllimi afatgjatë, ka treguar Wales, është të punohet me një rrjet mjekësh ose klinikash në të gjithë shtetin, në mënyrë që gratë të mos kenë nevojë të udhëtojnë në Wichita ose në zonën e Kansasit për të marrë medikamente për abortin.
Pacientët në shtetet me ligje më kufizuese për abortin do të duhej të udhëtonin në Kansas, siç bëjnë tani. Mjekët që e bëjnë telekonsulencën gjithashtu duhet të licencohen për të ushtruar mjekësi në Kansas, siç duhet të jenë tani.
Për momentin, Planned Parenthood Great Plains po përdor stafin dhe mjekët ekzistues për t’u ofruar pacientëve në Wichita konsultime për abortin e telemjekësisë. Wales ka lajmëruar se teksa klinika ndonjëherë ka një mjek atje tre ose katër ditë në javë, një ditë në javë është tipike. Drejtori mjekësor i filialit të saj, dr. Iman Alsaden, ka theksuar se nuk do të kishte pasur takime për abort në Wichita pa telekonferencë.
Filiali “Planned Parenthood” tashmë ofron disa shërbime teleshëndetësore, të tilla si riplotësimi i recetave të kontrollit të lindjes ose vizitat e kujdesit për afirmimin e gjinisë për pacientët transgjinorë. Wales ka treguar se është ende duke vendosur ditë pas dite se sa shpejt do të zgjerohen takimet për abortin me telemjekësi.
Ofruesit e abortit duhej të prisnin këtë vit për një pasqyrë më të qartë të ligjshmërisë së abortit me telemjekësi. Votimi mbarëkombëtar në gusht ruajti një vendim të Gjykatës së Lartë të Kansasit në prill të 2019-s që qasja në abort është një e drejtë “themelore” sipas Kushtetutës së shtetit.
Votimi erdhi gjersa Trust Women po ndiqte një padi kundër ndalimit të shtetit për abortet me telemjekësi. Kjo padi çoi në urdhrin e gjykatësit të gjykatës shtetërore për bllokimin e zbatimit të ndalimit të abortit të telemjekësisë në Kansas.
“Jemi mjaft të sigurt se gjykatat janë në anën tonë dhe se ne kemi një krah shumë të fortë ligjor”, ka theksuar Erin Thompson, këshilltar i përgjithshëm i “Planned Parenthood Great Plains”.
Përktheu: Blerta Haxhiu