Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rritja e madhe e së djathtës ekstreme në Serbi “shqetëson” edhe ish-radikalin Vuçiq

Pushteti në Serbi nuk ka ndryshuar nga zgjedhjet e së dielës, parlamentare e presidenciale dhe Aleksandar Vuçiqi, përveç fitores së tij bindëse, është fokusuar edhe në “kthesën domethënëse” – djathtas, që kanë marrë serbët.

Kreu i Partisë Përparimtare Serbe, dikur pjesë e partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit, Vuçiq, është “shprehur i shqetësuar” për këtë anim të serbëve drejt ekstremit të djathtë.

Siç tha ai, në fjalimin e fitores të dielën mbrëma, fajtorë janë ai dhe opozita demokratike.

“Ajo që është e rëndësishme për vendin, është se ndikimi i krizës ukrainase ishte i madh në rezultatet e zgjedhjeve dhe shihet se Serbia ka lëvizur në mënyrë dramatike në të djathtë. Unë jam fajtor që lista e SNS-së ka pak më pak vota, por ne për këtë do të kujdesemi gjatë formimit të qeverisë dhe nuk do ta formojmë atë me ata që kanë abuzuar me besimin e popullit tonë”, theksoi Vuçiqi, përcjell B92.

“Shqetësimi” për të cilin foli Vuçiqi është se qytetarët e Serbisë u dhanë deri në 20 vende në Parlamentin serb kandidatëve të krahut të djathtë dhe pro-rus, Dveri dhe Zavetnici.

Kandidati i Dverit, Boshko Obradoviq, aktualisht është në vendin e katërt në garën për president të Serbisë me 4.41 për qind ose 152 mijë vota, i ndjekur nga kandidatja e Zavetnicit, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski me më shumë se 142 mijë vota, ndërsa Misha Vaçiq, një tjetër djathtist, fitoi mbi 30 mijë vota. Kjo tregon se serbët u kanë besuar mbi 330 mijë vota kandidatëve të djathtë në zgjedhjet për president të vendit.

Mund të marrin edhe disa vota, pasi edhe rreth 10 për qind e tyre nuk janë numëruar.

Edhe Konfirmohet mbështetja për Vuçiqin, fuqizohet edhe e djathta ekstreme Arbëri Konfirmohet mbështetja për Vuçiqin, fuqizohet edhe e djathta ekstreme

Lëvizja serbe “Dveri” është parti politike e djathtë e udhëhequr nga Boshko Obradoviq dhe së bashku me atë “Zavetnici” karakterizohen nga një politikë konservatore dhe rusofile që është ashpër kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të dyja partitë së bashku me opozitën demokratike dy vjet më parë bojkotuan zgjedhjet parlamentare, por për një kohë të shkurtër fituan dukshëm simpatinë e një numri të madh serbësh.

Mes partive të ekstremit të djathtë llogaritet edhe ajo Radikale e Sheshelit, i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Pjesë e kësaj partie ishte edhe Vuçiqi, e në kohë të luftës në Kosovë, ishte edhe ministër i propozuar nga kjo parti. \klix