Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rrëzohet një aeroplan ushtarak rus me 15 persona në bord

Një aeroplan ushtarak rus me 15 persona në bord është rrëzuar të martën, derisa po nisej nga një bazë ajrore në perëndim të Rusisë, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Sipas ministrisë, avioni Il-76 me tetë ekuipazh dhe shtatë pasagjerë u rrëzua në rajonin e Ivanovës. Nuk u bë e ditur nëse ka ndonjë të mbijetuar, raportoi AP.

Ministria po ashtu ka bërë të ditur në një deklaratë se një zjarr në motor besohet të jetë shkaktari i rrëzimit. Një ekip i hetuesve kanë fluturuar për në Ivanovo për të nisur hetimet.

Media ruse ka shpërndarë një video ku shihet aeroplani duke u lëshuar poshtë, me të paktën një prej motorëve të tij në flakë.

Avioni II-76 është një aeroplan i transportit të rëndë që ka qenë në shërbim që nga viti 1970.

Përplasja ka ndodhur në ditën kur Ministria e Mbrojtjes raportoi për dhjetëra sulme në Rusi, të kryera nga dronët ukrainas.