Politikani populist i Sllovenisë, Janez Jansha, u rrëzua të dielën nga posti i kryeministrit nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare.
Partia Lëvizja e Lirisë e udhëhequr nga inxhinieri Robert Golob, doli fituese me 34.5 për qind të votave, duke marrë 40 mandate nga 90 gjithsej në Kuvendin e Sllovenisë.
Partia Demokratike Sllovene e Janshës, mori rreth 24 për qind të votave.
Siç raportoi BBC-ja të hënën, Jansha sa ishte në krye të kabinetit qeveritar minoi sundimin e ligjit dhe ishte një mbështetës i hapur i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ai u bë i njohur si një reformator postkomunist “duke i gërryer standardet demokratike dhe duke e kufizuar lirinë e shtypit”.
Pas fitores, Golobi deklaroi se do t’ia mundësojë Sllovenisë të udhëhiqet në liri. Zgjedhjet e 24 prillit, Golobi i kishte cilësuar si referendum për demokracinë, ndërsa në politikë është kthyer në janar të këtij viti, kur hoqi dorë nga posti i kryetarit të firmës së tij të investimeve në energji.
Ai ishte në politikë edhe vite më parë, kryesisht si këshilltar i qeverive për energjinë.
55-vjeçari pritet ta merr pushtetin nëpërmjet një koalicioni qeverisës me partitë e krahut të majtë.
Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, 1.7 milionë sllovenë dolën në zgjedhje.