Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Janez Jansha, kryeministër i Sllovenisë për herë të katërt

Janez Jansha

Janez Jansha është zgjedhur të premten kryeministër i ri i Sllovenisë, duke marrë për herë të katërt drejtimin e qeverisë së vendit.

Asambleja Shtetërore e Sllovenisë e votoi liderin e Partisë Demokratike Sllovene (SDS) me 51 vota pro dhe 36 kundër në një votim të fshehtë, raportoi agjencia STA.

Me këtë votim, Jansha mori mandatin për formimin e qeverisë së tij të katërt, e cila do të jetë qeveria e 16-të në historinë e Sllovenisë. Brenda 15 ditësh, ai duhet t’i propozojë parlamentit emrat e ministrave të rinj.

Pas zgjedhjes, Jansha bëri betimin para deputetëve, duke premtuar se do ta respektojë rendin kushtetues dhe do të punojë “me të gjitha forcat për të mirën e Sllovenisë”.

Një ditë më parë, ai nënshkroi marrëveshje koalicioni me partitë Sllovenia e Re (NSi), Partia Popullore Sllovene (SLS), Fokus dhe Demokratët, me të cilat po formon shumicën qeverisëse. Mbështetje për Janshën dhanë edhe deputetët e partisë Resnica, megjithëse kjo parti nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar.

Koalicioni i ri ka 48 nga 90 ulëset në parlament, ndërsa Jansha pritet të sigurojë mbështetje shtesë edhe nga deputetët e pakicave kombëtare dhe një deputet opozitar.

Edhe Sllovenia gati për bisedime koalicioni pas zgjedhjeve me rezultat të ngushtë Botë 3 muaj më parë Sllovenia gati për bisedime koalicioni pas zgjedhjeve me rezultat të ngushtë

Në prioritetet e qeverisë së re, Jansha përmendi përfundimin e procesit të demokratizimit, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe decentralizimin dhe uljen e burokracisë.

Jansha njihet si politikan populist dhe mbështetës i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Qeveria e re do ta pasojë kabinetin në largim të Robert Golobit, i cili megjithëse kishte fituar zgjedhjet e marsit me rezultat të ngushtë, nuk arriti të formojë qeverinë.