Rikthimi i qytetit Izyum nën kontrollin e trupave ukrainase ka ngritur reagime të shumta nga banorët me etni të Sri-Lankës, që jetojnë në këtë zonë, raportoi BBC-ja të martën.
Banorët deklaruan se janë torturuar mizorisht nga trupat ruse kur pushtuan Izyumin.
“Ne menduam se nuk do të dilnim kurrë të gjallë”, deklaroi Dilujan Paththinajakan. Ai ishte në mesin e shtatë shtetasve të Sri-Lankës që u kapën nga rusët. Ata ishin nisur drejt Kupianskut për t’u mbrojtur nga bombardimet, por në postbllokun e parë rus, u ndaluan dhe u arrestuan.

Iu lidhën sytë e duart, e bashkërisht u dërguan në një fabrikë makinerish në qytetin Vovchansk, pranë kufirit rus.
Ky ishte fillimi i një makthi që zgjati katër muaj. Pos torturave fizike, aziatikët bënë edhe punë të detyrueshme.
Edhe
Rrëfimet e grave ukrainase për dhunën seksuale nga ushtarët rusë
Burrat, që kryesisht ishin rreth të 20-ave, u mbajtën në një dhomë, ndërsa e vetmja grua, 50-vjeçare, u mbajt veçmas. Rusët i lejuan ta përdornin tualetin për vetëm dy minuta në ditë, e iu dhanë fare pak ushqyen.
“Na mbyllën në një dhomë. Na rrihnin kur shkonin të bënim dush. Nuk më lejonin as të takohesha me të tjerët”, deklaroi Mary Edit Uthajkumar, që nga torturat mori lëndime të rënda trupore. Fytyra e saj është të djegur nga shpërthimet, derisa ka edhe një sëmundje në zemër, por që tha se ende s’e ka trajtuar.
“Duke qenë vetëm, isha shumë e tensionuar. Ata (rusët) thanë se kisha probleme me shëndetin mendor dhe më ofruan tableta. Nuk i mora”, shtoi ajo.
Ndërsa burrave iu kanë mbetur kujtime edhe më të dukshme se të 50-vjeçares. Njërit prej tyre, rusët ia hoqën thonjtë me pincë.
Grupi aziatik deklaroi se rusët i rrihnin edhe kur deheshin.

“Më goditën shumë herë në trup me armët e tyre. Njëri prej tyre më goditi me grusht në bark dhe kam pasur dhimbje për dy ditë. Më pas më ka kërkuar para”, deklaroi 35-vjeçari Thinesh Gogenthiran.
“Ishim shumë të zemëruar dhe të trishtuar. Qanim çdo ditë. E vetmja gjë që na mbajti gjallë ishte lutja dhe kujtimet e familjes”, rrëfeu tutje ai.
Rusia i ka mohuar sulmet dhe krimet ndaj civilëve në Izyum. Ndërkohë, krimet ruse janë dokumentuar nga autoritetet ukrainase pas çlirimit të zonës. Në një pyll pranë Izyumit është zhvarrosur një varrezë masive, ku hanë gjetur dhjetëra trupa. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se janë gjetur 10 dhoma në rajonin e Kharkivit, ku u maltretuan ukrainasit.
Edhe
Derisa rusët afrohen, banorët lindorë të Ukrainës po largohen
Banorët deklaruan se tani ndihen më mirë pranë trupave ukrainase. Aktualisht po marrin trajtime mjekësore.
Në Ukrainë nuk ka shumë shtetas të Sri-Lankës. Të kapurit nga trupat ruse thuhet se kishin mbetur brenda kufirit pak para se të niste agresioni rus (24 shkurt). Ministrja e Punëve të Jashtme e Sri-Lankës, kishte nisur një operacion për riatdhesimin e shtetasve të saj, por jo të gjithë ia dolën të largoheshin.