Botë

Torturimi i të burgosurve ukrainas

Ish-të burgosurit ukrainas kanë thënë se iu nënshtruan torturave, duke përfshirë rrahje të shpeshta dhe goditje me shok-elektrik, derisa ishin në paraburgim në një objekt në Rusinë jugperëndimore, në atë që cilësohet si shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar humanitar

Në intervistat me BBC-në, dhjetëra ish-të burgosur të liruar përmes shkëmbimit kanë pretenduar abuzim fizik dhe psikologjik nga oficerët dhe rojet ruse në objektin e paraburgimit numër dy, në qytetin e Taganrogut.

Dëshmitë, të mbledhura gjatë një hetimi javor, përshkruajnë një model të vazhdueshëm të dhunës ekstreme dhe keqtrajtimit në objekt, në një nga vendet ku të burgosurit ukrainas të luftës janë mbajtur në Rusi.

Pretendimet e tyre përfshijnë:

  • Burrat dhe gratë në vendin e Taganrogut janë rrahur në mënyrë të përsëritur, duke përfshirë goditje në pjesën e veshkave dhe gjoksit, dhe u janë dhënë goditje elektrike në inspektimet dhe marrjen në pyetje.
  • Gardianët rusë kanë kërcënuar dhe frikësuar vazhdimisht të burgosurit, disa prej të cilëve kanë dhënë rrëfime të rreme të cilat dyshohet se janë përdorur si prova kundër tyre në gjyqe.
  • Të burgosurit janë lënë vazhdimisht të paushqyer, dhe të lënduarve nuk u është dhënë ndihma e duhur mjekësore, me raportime për të burgosurit që kanë vdekur në objekt.

BBC-ja nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet, por detajet e historive u ndanë me grupet e të drejtave të njeriut dhe, kur u bë e mundur, u vërtetuan nga të arrestuar të tjerë.

Qeveria ruse nuk ka lejuar asnjë organ të jashtëm, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të vizitojnë objektin që para luftës përdorej ekskluzivisht për të mbajtur të burgosur rusë.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu është përgjigjur kërkesave për të komentuar akuzat. Ajo ka mohuar më parë të ketë torturuar apo keqtrajtuar robërit.

Shkëmbimi i të burgosurve

Shkëmbimi i të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë është arritje e rrallë diplomatike në luftë dhe më shumë se 2.500 ukrainas janë liruar që nga fillimi i konfliktit. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, deri në 10 mijë robër lufte besohet se janë nëpër burgjet ruse.

Dmytro Lubinets, avokati i popullit në Ukrainë dhe një nga zyrtarët e përfshirë në negociatat e shkëmbimit me Moskën, ka bërë të ditur se nëntë në çdo dhjetë ish të arrestuar kanë pretenduar se ishin torturuar gjatë kohës që ishin nën robërinë ruse. “Kjo është sfida më e madhe për mua tani: si të mbrojmë njerëzit tanë në anën ruse” ka thënë Lubinets. “Askush nuk e di se si mund ta bëjmë atë”.

Shtatorin e kaluar, Artem Seredniak, një toger i lartë, kishte qenë nën robërinë ruse për katër muaj, kur ai dhe rreth 50 ukrainas të tjerë u transferuan në objektin e paraburgimit numër dy.

Me të mbërritur në Taganrog, kujtoi ai, një oficer i përshëndeti: “Përshëndetje djema. A e dini ku jeni? Këtu do të kalbeni deri në fund të jetës tuaj”. Të burgosurit heshtën. Ata u shoqëruan brenda ndërtesës, tregoi Seredniak, ku ua morën shenjat e gishtërinjve dhe ua hoqën rrobat, u rruan dhe u detyruan të bënin dush.

Në çdo hap, rojet e objektit, të cilët mbanin shkopinj të zinj dhe shufra metalike, i rrihnin në këmbë, krahë ose “kudo që dëshironin”, shtoi Seredniak. “Është ajo që ata e quajnë “pritje”.

Para kapjes së tij, Seredniak, i cili është 27 vjeç, drejtonte një togë snajperësh në regjimentin Azov, forca kryesore ushtarake në Mariupol. Kjo, shpjegoi ai, e bëri atë cakun kryesor për stafin e burgut. Seredniak tregoi se ai u nda nga të tjerët dhe, i veshur vetëm me të brendshme, u dërgua në një dhomë për ta marrë në pyetje për herë të parë. Më pas e përplasën në dysheme, tha ai, me kokën e tij të kthyer përtokë.

Gardianët e pyetën për rolin e tij në ushtri dhe për detyrat që kishte kryer. Ata e goditën me një armë elektrike, shtoi Seredniak, në shpinë, ijë dhe qafë.

“Kështu kanë bërë me të gjithë”, shtoi ai. “Të kanë goditur si gozhdë”.

Në maj të vitit të kaluar, derisa Mariupoli ishte nën një rrethim rus, autoritetet ukrainase urdhëruan qindra ushtarë të strehuar në fabrikën e çelikut Azovstal të qytetit të dorëzoheshin. Seredniak ishte ndër të fundit. Ai fillimisht u dërgua në një objekt në Olenivka, një fshat në Donetsk, dhe muaj më vonë u dërgua në burgun në Taganrog, në rajonin kufitar rus të Rostovit, rreth 120 km në lindje të Mariupolit.

Image
Pamje e Seredniakut në ditën e lirimit të tij. Në intervistat me BBC-në, dhjetëra ish të burgosur të liruar përmes shkëmbimit kanë pretenduar abuzim fizik dhe psikologjik nga oficerët dhe rojet ruse në objektet e paraburgimit

Narrativa e “denazifikimit”

Atje robërit kontrolloheshin dy herë në ditë dhe çdo gjë dukej të ishte një motiv, që rojet të abuzonin me ta. “Atyre mund të mos ju pëlqente mënyra se si dole nga qelia, ose nuk dolët shpejt, ose duart tuaja ishin shumë poshtë ose koka juaj ishte shumë lart”.

Në një nga ato kontrolle, Seredniak u pyet nëse kishte të dashur. Ai tha se kishte, dhe e kujtoi një roje që i tha: “Na jep Instagramin e saj. Ne do të bëjmë një fotografi me ty dhe do t’ia dërgojmë”. Ai gënjeu, duke mos dashur ta ekspozonte dhe tha se ajo nuk kishte një të tillë. Më pas e rrahën, tregoi ai, dhe e dërguan në një dhomë në bodrumin e burgut, ku takoi një luftëtar ukrainas njëzet e ca vjeç. Seredniak tregoi se burri ishte i kërrysur, shtrëngonte duart, me sa duket kishte dhimbje, dhe i tregoi se oficerët i kishin futur gjilpëra nën thonjtë e tij.

Me kalimin e ditëve, Seredniak vuri re se rojet e burgut ishin veçanërisht brutalë me ata që i përkisnin Regjimentit Azov, ish-milicisë në Mariupol që dikur kishte lidhje me të djathtën ekstreme. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë, ndër të tjera, se lufta e tij është një përpjekje për të “denazifikuar” Ukrainën - një vend i udhëhequr nga një president hebre, Volodymyr Zelensky - dhe autoritetet ruse shpesh citojnë njësinë për të justifikuar pushtimin.

Një herë, tregoi Seredniak, një oficer përdori një karrige druri për ta goditur dhe “ai më rrahu aq shumë sa u copëtua”. Një ditë tjetër, tha ai, u pyet nëse mund të këndonte “himnin e Azovit”. Ai nuk dinte asnjë himn të Azovit dhe supozoi se rojet nënkuptonin Lutjen e Nacionalistit Ukrainas, një betim i shekullit të 20-të që zakonisht lexohej me zë nga ushtarët përpara se të dërgoheshin në luftim. Seredniak e tha me ngurrim, i vetëdijshëm se si mund të reagonin rojet.

Ata e goditën disa herë. Ai u rrëzua, duke goditur kokën pas një muri, e duke shkaktuar një çarje pranë vetullës. Ai u shtri në dysheme, derisa rrahjet vazhduan, tregoi ai, në të gjithë trupin.

Disa nga stafi i burgut dukej se ishin ndikuar shumë nga narrativa e presidentit Putin për “denazifikimin”. Për të arrestuarit, kjo ishte e dukshme në mënyrën se si rojet tregonin një interes të veçantë për çdo gjë që, sipas mendimit të tyre, mund të interpretohej si pro-naziste.

“Slavi Ukraini!”

Në mars, në një raport nga Zyra e komisionarit të lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) thuhej se Rusia “ka dështuar të sigurojë trajtimin njerëzor” të të burgosurve, me “modele të forta shkeljesh”.

Kris Janowski, një zëdhënës i zyrës, tha se kishte një “listë të gjatë të gjërave të këqija që u janë bërë” të arrestuarve në objektin në Taganrog. Fakti që një burg përdorej për të mbajtur robër ishte, në vetvete, një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar, shtoi ai, pasi ata duhet të mbaheshin në vende të posaçme. Ukraina u përball gjithashtu me disa akuza për keqtrajtim të të burgosurve, sipas raportit të marsit; por, në përgjithësi, ata “u trajtuan në mënyrë më të mirë”.

Seredniak tregoi se jo të gjithë të burgosurit duronin torturat. Ai tregoi se si një bashkëluftëtar i Azovit, në fund të të 20-tave, theu një pasqyrë të vogël që varej mbi lavamanin e qelisë së tij dhe përdori një copë për të prerë fytin e tij. Burri u shpëtua nga robër të tjerë, të cilët ndaluan gjakderdhjen me duar. Ditë më vonë, shtoi Seredniak, stafi i burgut hoqi pasqyrat nga të gjitha qelitë.

Ai i përshkroi porcionet e ushqimit që iu dhanë si të kufizuara; ndonjëherë, thoshte ai, ishin “aq të vogla, sa po të haja 300-400 kalori në ditë, isha me fat”.

Seredniak, i cili është 1.86 m i gjatë, tha se pesha e tij ra në rreth 60 kg derisa ishte atje, në krahasim me 80 kg sa kishte më parë. “Sa herë që ngrihesha”, tregoi ai, “kisha marramendje, më errësoheshin sytë, nuk mund të bëja asnjë lëvizje të shpejtë”. Ai besonte se kjo ishte e qëllimshme: të dobësuar, robërit nuk do të bënin asnjë rezistencë.

Pas gati 12 muajsh në robëri, 7 prej të cilëve i kaloi në Taganrog, Seredniak u lirua në një shkëmbim të burgosurish më 6 maj, së bashku me 44 luftëtarë të tjerë ukrainas. Ai tha se do të festonte në atë datë sikur të ishte ditëlindja e tij e dytë.

BBC-ja vizitoi Seredniakun katër javë pas kthimit të tij, në një banesë në Keiv, mes seancave të tij të rehabilitimit fizik dhe mendor. Mjekët e kishin diagnostikuar me një brinjë të thyer dhe kiste në mëlçi dhe veshkë, të cilat, thanë ata, se ndoshta ishin shkaktuar nga rrahjet. Seredniaku tashmë kishte rifituar një pjesë të peshës që kishte humbur, por ende vuante nga dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës dhe, ndonjëherë, nuk mund të ecte.

Në telefonin e gazetarit, ai pa për herë të parë një video të shkëmbimit të tij, e cila ishte publikuar nga Qeveria ukrainase. Të burgosurit u filmuan duke thirrur “Slavi Ukraini!”, ose “Lavdi Ukrainës”. Në video ishte një burrë i buzëqeshur. Seredniaku tha: “Ky jam unë!” Gazetari nuk e njohu. “Isha i zbehtë, i dobët, pa qasje në rrezet e diellit”, i tha ai. “Ne ishim si lakuriqët e natës”.

Përktheu: Forca Jashari