Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Revolta e grave

Gratë ia lëkundën fort karrigen diktatorit të fundit në Evropë, Aleksandar Lukashenko, liderit të kontestuar bjellorus pas zgjedhjeve të gushtit. Ishin gratë ato u mobilizuan në protesta masive, duke nxitur edhe burrat t’u bashkoheshin në demonstratat kundër rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, shkruan AP. 

Ato po e mbrojnë fitoren e rivales së Lukashenkos, Svetlana Tikhanovskaya, gruaja e një blogeri të njohur që shpresonte të garonte vetë në zgjedhje, por që u vu në pranga pak kohë para se të regjistrohej si kandidat presidencial.

Ngjashëm edhe në shtetin fqinj, Poloni, gratë po u prijnë protestave mbarëpopullore kundër ligjit të ri që pothuajse krejtësisht e ndalon abortin. Në dy shtetet që dikur ishin pjesë e bllokut komunist, gratë u kthyen në shenja shprese për ndryshim kundër qeverive që gjithnjë e më shumë po i ashpërsojnë masat represive.

Matanë Atlantikut gratë ishin gjithashtu në krye të lëvizjes së njohur amerikane antiraciste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Black Lives Matter” (BLF). Dhjetëra-miliona amerikanë dolën nëpër rrugë në kohë pandemie kundër padrejtësisë dhe pabarazisë, për shkak të ngjyrës së afro-amerikanëve. Protestuesit nuk u ndalën as në kohën kur ekspertët e mjekësisë dhe të shëndetit publik bënin thirrje për respektimin e masave për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit.

Ngjashëm ndodhi edhe në Bjellorusi, ku çdo të diel organizohen protesta në mbarë vendin kundër regjimit të Lukashenkos, i cili vazhdon t’i mbajë frerët e pushtetit për 26 vjet me radhë në ish-Republikën sovjetike.

Në një vend ku lideri është i gjithëpushtetshëm, gratë janë konsideruar të dobëta për t’u marrë me politikë, ka thënë Lukashenko. Ai mendon se ato e kanë vendin në kuzhinë.

Gratë po protestojnë në të gjitha qytetet. Në një protestë të një fundjave nëntori, dhjetëra sosh protestuan larg njëra-tjetrës me qëllim që të mos tubohen e të mos arrestohen nga policia. Gazeta njujorkeze ka vlerësuar se pavarësisht nëse lëvizja protestuese ia del ta heqë qafe Lukashenkon, tashmë ka shkundur sistemin që kishte betonuar paragjykimet gjinore të rrënjosura për breza me radhë.

Megjithëkëtë, Lukashenko vazhdon ta ngacmojë rivalen Tikhanovskaya, e cila nga frika e arrestimit u largua nga vendi, si shtëpiake dhe e pazonja për t’u matur në debat me një burrë veteran politike si ai.

“Ajo mund të ziejë mish të shijshëm, mbase t’i ushqejë fëmijët”, ka deklaruar Lukashenko gjatë një interviste menjëherë pas zgjedhjeve.

Olga Shparaga, feministe dhe ligjëruese filozofie në Kolegjin Evropian të Arteve Liberale në Bjellorusi, ka thënë se vetëm një hise e vogël e burrave janë të mendimit se gratë kishin rol të rëndësishëm në rindërtimin e vendit pas Luftës së Dytë Botërore.

Kujtimet e luftës janë mbajtur gjallë dhe i janë prezantuar një gjenerate më të re bjelloruse me mbledhjen e tyre nga Svetlana Alexievich, fituese e Nobelit të Paqes në Letërsi, që e ka thelb të veprës rolin e grave.

Por, paradoksalisht, Lukashenko ka ndihmuar gjallërimin e kauzës feministe me qasjen e tij shtypëse.

Në Poloninë fqinje, gratë kanë protestuar për muaj me radhë, duke u përleshur edhe me policinë polake nën urdhrat e qeverisë me prirje autoritare, që po e shfrytëzon edhe ligjin kundër abortit për ta shtrirë ndikimin politik në të gjitha fushat e jetës. Varshava zyrtare akuzohet – dhe është kërcënuar me masa ndëshkuese – nga Bashkimi Evropian se po i kap institucionet e sistemit të drejtësisë. Gjykata Supreme ka mbrojtur ligjin që pothuajse e ndalon krejtësisht abortin.

Madje edhe atëherë kur mjekët u thonë shtatzënave se fetusi nuk po zhvillohet normalisht dhe se fëmija do të vdesë edhe nëse lind i gjallë. Polonia edhe ashtu ka disa prej ligjeve më të ashpra kundër abortit në Evropë.

Shumica e protestuesve janë të rinj e të reja, që vallëzojnë e këndojnë me instrumente në protesta.

Qeveria ka shtyrë përkohësisht ndalimin e aborteve, duke i lënë në dilema mjekët dhe spitalet që u kërkohen të kryejnë aborte. Një grua tregon në një rrëfim për BBC-në se disa spitale refuzuan t’ia kryenin abortin nga droja se mund të ndëshkoheshin nga shteti.

Kiara Yakita, artiste dhe aktiviste e të drejtave të grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë pjesë e protestave të BLM-së. Ajo mendon se qëndrimi kundër racizmit në thelb është mbrojtje e dinjitetit themelor njerëzor. Kjo është e përbashkëta kryesore e grave që po protestojnë e po revoltohen në shtetet të ndryshme, duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre, të familjeve dhe të shoqërisë me pjesëmarrje në protesta si në Bjellorusi, Poloni, Shtetet e Bashkuara, apo gjetkë.

Duke folur me reporterët në Berlin, pas një takimi që kishte zhvilluar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, bjellorusja Tikhanovskaya, e cila beson se e mposhti në zgjedhje “diktatorin e fundit të Evropës”, tha se roli i grave ka ndikuar me të madhe në kryengritjen paqësore, rezultati i së cilës ende nuk dihet se cili do të jetë.

Kundrejt brutalitetit të regjimit, gratë kanë reaguar me demonstrim të “paqes dhe dashurisë”, shtoi ajo. Çehrja iu çel para se të shtonte se bjelloruset njihen në mbarë botën dhe kjo është e mrekullueshme.

Artikuj të ngjashëm