Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lukashenko shtyp demonstratat në mbarë vendin

Minsk, 6 dhjetor (Reuters) - Forcat e sigurisë së Bjellorusisë kanë arrestuar dhjetëra persona në mbarë vendin, pas pothuajse katër muajve qëkur kanë nisur protestat ku kërkohet largimi nga pushteti i Alyaksandr Lukashenkos.

Protestuesit u mblodhën në Minsk dhe në shumë qytete të tjera bjelloruse për ta kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të gushtit, të cilat, sipas opozitës, u manipuluan.

Në zgjedhjet e 9 gushtit, Lukashenko tha se fitoi mandatin e gjashtë presidencial, por kandidatja opozitare Svyatlana Tsikhanouskaya besohet se ka qenë fituesja e zgjedhjeve dhe ajo ka bërë thirrje për dorëheqjen e Lukashenkos, lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Perëndimi ka refuzuar ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ka vendosur sanksione ndaj Lukashenkos dhe zyrtarëve kryesorë në Bjellorusi.

Deri në orën 16:30, sipas kohës lokale në Bjellorusi, organizata për të drejtat e njeriut “Vyasna” ka raportuar se mbi 70 persona janë arrestuar në Minsk dhe në qytete të tjera bjelloruse.

Policia është parë të ketë përdorur topa uji dhe mjete të tjera për t’i shpërndarë protestuesit.

Tsikhanouskaya, e cila është larguar për në Lituani pas zgjedhjeve, tha më 5 dhjetor se do ta mbështesë “këdo që del në oborrin e tij, në qarkun apo qytetin e tij” për të protestuar.

Edhe Bjellorusia liron 52 të burgosur në këmbim të lehtësimit të disa masave nga SHBA-ja Botë 10 muaj më parë Bjellorusia liron 52 të burgosur në këmbim të lehtësimit të disa masave nga SHBA-ja

“Çdo marsh është një përkujtim se bjellorusët nuk do të heqin dorë. Ne nuk do të lejojmë të na merren të drejtat dhe t’i mbyllim sytë para krimeve”, tha ajo.

Një javë më parë, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe granata tymuese kundër protestuesve në Minsk dhe arrestuan mbi 300 protestues në mbarë vendin, ka raportuar “Vyasna”.

Perëndimi nuk ka qenë i vendosur dhe i njëzëshëm në kundërshtimin ndaj Lukashenkos. Kritikët e Bashkimit Evropian druajnë se Brukseli zyrtar nuk po mban qëndrim të qartë për shkak të ndikimit të madh të presidentit rus, Vladimir Putin, në zhvillimet e fundit politike në Bjellorusi. Moska zyrtare nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të mijëra trupave speciale në ish-Republikën sovjetike për ta shtypur pakënaqësinë e ngritur nga zgjedhjet e verës. Shtetet baltike kanë qenë më të zëshme në kërkesat për sanksione të ashpra nga elita politike bjelloruse që po vazhdon ta mbështesë Lukashenkon për ta ruajtur me dhunë pushtetin. Ai është autokrati i fundit dhe lideri më jetëgjatë në pushtet. Vendi po qeveriset prej tij qe 26 vjet. Bjellorusia është një prej republikave që ia doli të pavarësohej pas prishjes së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ‘90.