Amit Ghose thotë se që fëmijë u është nënshtruar ngacmimeve për shkak të pamjes së tij. Së fundmi, ai rrëfeu se edhe nuk u shërbye në një kafene në Birmingham. 35-vjeçari tha se të gjithë po e shikonin me vëmendje dhe reagonin sikur të kishin parë një fantazmë.
“Personi që po shërbente më shikoi dhe më tha 'Oh, nuk po shërbejmë më'. Ajo u largua, por qartë shihej që ende po shërbenin”, ka deklaruar ai.
Amit lindi me Neurofibromatozë të tipit 1, një gjendje që bën që tumoret jokanceroze të rriten përgjatë nervave.
Por pasi u mësua me këtë gjë, 35-vjeçari tash ndan histori motivuese në shkolla me qëllim që t'i mësojë fëmijët të përqafojnë personalitetet e tyre dhe t'i gëzohen asaj që janë.
“Disa individë erdhën tek unë në një park dhe më pyetën se çka më kishte ndodhur në fytyrë, dhe mendova se thjeshtë ishin kuriozë”, ka deklaruar ai. “Por, në fakt, ata filluan të qeshnin, të qeshnin me të madhe duke thënë ‘O Zot, nëse do të kisha një fytyrë si ti, as nuk do të dilja nga shtëpia ime’”.
Ai tha se takimi me ta e shqetësoi shumë, duke shtuar se vendosi të nxirrte një libër për fëmijë, të titulluar “I lindur ndryshe”, apo në origjinal “Born Different”.

“Nëse do ta kisha pasur këtë libër kur isha fëmijë, mendoj se do të më kishte ndihmuar”, ka thënë ai.
Amitit iu hoq syri i majtë me ndërhyrje kirurgjikale në moshën 11-vjeçare, duke çuar në shtim të ngacmimit dhe bullizmit.
“Një vit para festës së Halloweenit, një fëmijë në shkollë m’u drejtua me fjalët ‘nuk ke nevojë për një maskë Halloweeni, e ke një për gjithë jetën’”, kujtoi ai.

“Kjo më theu deri në atë pikë sa nuk e pranova anën e majtë të fytyrës time. Për një kohë shumë, shumë të gjatë, e fsheha fytyrën, thjeshtë nuk ndihesha rehat t'ia tregoja botës...Fëmijë të tjerë që nuk donin të uleshin pranë meje ose fshiheshin pranë prindërve të tyre, të gjithë patën një efekt mendor tek unë”.
Në shkollë, sporti i kriketit ishte pasioni i tij dhe tha se nëpërmjet lojës bëri miq të mirë.
Kriketi më ndihmoi të bëhem Amit, ai djali që luan kriket, nga Amiti ,në një djalë që ka një fytyrë qesharake.
Por, ishte bashkëshortja e tij, Piyali, që përfundimisht ia mësoi artin e pranimit të vetes.
“Në të vërtetë, unë duhet ta pranoj veten përpara se të tjerët të më pranojnë”, ka thënë ai.
Bashkëshortja po ashtu e bindi të niste ndarjen e historisë së tij në rrjetet sociale.
“Mendova se TikToku kishte të bënte vetëm me këngë dhe vallëzim...Krijova një video dhe i thashë botës: Dua t'ju çoj të gjithëve në një udhëtim për t'ju ndihmuar, mbështetur dhe frymëzuar duke përdorur përvojat e mia të jetuara”, ka thënë ai.
Amit hapi llogari në 2023-n dhe që atëherë ka fituar mbi 200.000 ndjekës dhe miliona pëlqime.
“Ndihma ime ndaj njerëzve në rrjetet sociale duke ndarë historinë time më ka ndihmuar të bëhem më i pranueshëm për veten time. Tani i them botës, ky jam unë, pranoje ose lëre”.