SOT

Ferizajasi që nga sëmundja me kancer e babait, u angazhua të ndihmojë mijëra njerëz

Gjithçka kishte filluar para 20 vjetësh.

Në shesh Agon Zhinpotoku atëherë 18-vjeçar së bashku me shokët e klasës kishin vendosur që të shesin ushqim që shoku i tyre të kishte paratë për të shkuar në ekskursionin në Shqipëri.

Por vite më vonë, pas diagnostikimit me kancer të babit të tij, Zhinpotoku ia kishte bërë një premtim vetes.

Në publik u bë i njohur për denoncimin e dhunës fizike ndaj Isuf Hasanit, person me aftësi të kufizuara, në Ferizaj.

“Këtu jemi pikërisht në vendin ku kam organizuar aktivitete humanitare, e mbaj në mend në vitin e fundit të shkollës së mesme këtu në sheshin e Ferizajt ka qenë më ndryshe para 20 vjet, e kemi organizuar një drekë bamirësie kemi shitur flija dhe ëmbëlsira të ndryshëm për t’ia grumbulluar paratë për një shok të klasës që edhe ai të vijë me ne në ekskurzonin që e kemi pasur në Shqipëri. Ajo ka qenë nisma e parë. Më herët kemi pasur shumë raste për me iu ndihmua njerëzit janë gëzuar me pak gjëra ndoshta edhe çmimet kanë qenë më të ulëta. Pastaj kam filluar me iniciativën e ndërtimit të disa shtëpivë në fshatin tim”, ka thënë ai.

“Ka ndodhur një moment kthese në këtë punën e bamirësisë në kohën kur babi im u diagnostikua me kancer dy herë dhe është gjallë fatmirësisht. Nga ai moment i kam premtuar vetës se nëse babi shpëton unë gjithë jetën time do të iu ndihmoj njerëzve në nevojë”, ka shtuar ai.

Ai thotë që nuk është e vështirë të fitosh besimin e njerëzve, kur nuk e keqpërdor mirësinë e tyre dhe ke mision fisnik për ndihmë.

Kam filluar ku kam dëgjuar që njerëzit kanë nevojë jam munduar që t’iu ndihmoj së pari me ilaçe nëpër barnatore. Unë mendoj që nuk është e vështirë që ta fitosh besimin e njerëzve nëse nuk e keqpërdorë. Në fakt është një besim shumë i madh. Paraja nuk fitohet lehtë sepse unë e di që secili ta dhuron pjesën më të ndjeshme të pjesës së vetë të parave. Me një postim në Facebook arrij t’i bëjë rreth 50 mijë euro për dikë në nevojë, me një koment ia ndërtojmë shtëpinë dikujt”, ka thënë ai.

Zhinpotoku e quan si punë sfiduese sepse i merr kohë dhe energji por që thotë që nuk mund ta lërë për shkak se ky aktivitet e përmbush atë.

“Emocionalisht është punë shumë e mundimshme sepse e ki të pamundur nëse e viziton ndokënd në gjendje të rëndë. Kam pasur kërkesa edhe nga mësueset e shkollës për fëmijët që s’kanë pasur mundësi që të blejnë fletore e libra e as ushqim për shkollë apo s’kanë pasur biletë për autobusë. Unë kam arritur marrëveshje me gruan dhe familjarët e mi, mua kjo punë më plotëson është goxha sfiduese për familjen nuk është e mirë kjo jam i vetëdijshëm sepse nuk kemi privatësi aspak, mirëpo unë nuk jam vetja nëse e lë këtë angazhim”, ka deklaruar aktivisti humanitar.

“Zakonisht dalë në ora 07:00 prej shtëpisë dhe nuk mund të kthehem deri në 24:00 të mesnatës. Nuk paguhem për punën që e bëjë dhe nuk dua që të paguhem. Kafen e parë e pijë me shokë që janë biznesmen që kanë  të arritura dhe që më përkrahin në këtë mision fisnik. Këtu në Ferizaj ka shumë biznese bamirëse dhe që edhe falë tyre dhe të diasporës njerëzit këtu ndihmohen në mënyra të ndryshme”, ka shtuar ai.

Në disa raste kontributi i tij ka qenë vendimtar për sigurimin e trajtimeve mjekësore për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi financiare. Me këtë angazhim ai po dëshmon se solidariteti dhe bamirësia mbeten vlera të forta të shoqërisë kosovare.