Zelenskyy ka thënë se Ukraina nuk është në gjendje të eksportojë sasi të mëdha gruri, misri dhe produkte të tjera që kanë pasur rol stabilizues në tregun botëror. “Miliona njerëz mund të vdesin urie nëse vazhdon bllokada ruse e Detit të Zi”, ka thënë presidenti ukrainas
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se miliona njerëz mund të vdesin urie për shkak të bllokadës ruse të porteve ukrainase në Detin e Zi. Ai ka thënë se bllokada ka bërë që miliona njerëz në botë “të jenë në prag të një krize të tmerrshme ushqimi”.
Rusia ka uzurpuar pjesë të mëdha të bregut të Ukrainës, duke bllokuar eksportet bujqësore dhe duke ndikuar në ngritjen e madhe të çmimit të drithërave. Zelenskyy ka thënë se Ukraina nuk është në gjendje të eksportojë sasi të mëdha gruri, misri, biomase dhe produkte të tjera që kanë pasur “rol stabilizues në tregun botëror”.
“Miliona njerëz mund të vdesin urie nëse vazhdon bllokada ruse e Detit të Zi”, ka thënë ai në një video-adresim për Time100 në New York, e që është publikuar nga autoritetet ukrainase të enjten.
“Arsenal terrori”
Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Moskën se po e përdor zinxhirin e furnizimit si armë lufte. Rusia thotë se minat ukrainase të vendosura në det dhe sanksionet ndërkombëtare janë shkaktarët e bllokadës.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar krizë të paprecedentë urie dhe varfërie në mbarë botën.
“Për ata që janë në terren, çdo ditë sjell gjakderdhje të re dhe vuajtje”, tha Antonio Guterres në New York. “Viti i ardhshëm mund të ketë mungesë ushqimi. Mos bëni gabim: asnjë vend apo komunitet nuk do të mbetet i paprekur nga kjo krizë e kostos së jetesës”.
Ushqimi është bërë pjesë e “arsenalit të terrorit” të Rusisë, tha edhe shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Vaksinë” kundër “pandemisë ruse”
Moska thotë se “operacioni i saj special ushtarak” ka për qëllim të çarmatos dhe “ta denazifikojë” fqinjin e saj. Ukraina dhe aleatët e saj thonë se Moska ka nisur luftë të pashembullt agresioni
Kievi eksportonte shumicën e mallrave të veta nëpërmjet porteve detare, por prej pushtimit rus më 24 shkurt, është shtrënguar të transportojë drithërat me tren nëpërmjet kufirit perëndimor të Ukrainës ose nëpërmjet porteve të vogla të lumit Danub.
Zelenskyy, i cili është futur në listën e 100 personave më me ndikim për sivjet, të hartuar nga revista “Time”, ka thënë se i është mirënjohës presidentit amerikan, Joe Biden, për “unifikimin e botës së lirë kur i ngrit kërcënimi rus”.
Ai u ka bërë thirrje edhe aleatëve të Ukrainës ta furnizojnë me më shumë armë, duke bërë krahasime ndërmjet asaj çfarë e ka quajtur urrejtje ruse dhe COVID-19.
“Armët dhe sanksionet janë edhe vaksinë: vaksinë kundër COVID-22 të sjellë nga Rusia. Rusia është virus, dhe është edhe më vdekjeprurës se COVID-19”, ka thënë ai.
Rusia nuk u është kundërvënë komenteve të Zelenskyyt. Moska thotë se “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë ka për qëllim të çarmatos dhe “të denazifikojë” fqinjin e saj. Ukraina dhe aleatët e saj thonë se Moska ka nisur luftë të pashembullt agresioni.
Ukraina kërkon dëbimin e Rusisë nga FAO
Zelenskyy ka bërë thirrje që Rusia të dëbohet nga Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) për shkak të ndikimit të luftës së saj në pasigurinë ushqimore botërore.
Thirrja ka më shumë karakter simbolik. Të gjitha 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara janë edhe anëtare të FAO-s.
“Gjithashtu, nuk mund të vihet në dyshim anëtarësia e Rusisë në FAO”, ka thënë Zelenskyy gjatë fjalimit që ka mbajtur në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. “Çka kërkon Rusia aty nëse po punon që njerëzit të vdesin urie të së paku katërqind miliona njerëzve dhe në rastin më ekstrem të një miliard njerëzve”.
Lufta në Ukrainë do të mund të ngrinte numrin e njerëzve me “pasiguri akute ushqimi” anembanë botës deri në 47 milionë sivjet, deri në 323 milionë syresh, thuhet në projeksionet e një raporti të përbashkët të FAO-s dhe Programit Botëror të Ushqimit.
Komisioni Evropian ka ndarë 205 milionë euro të tjera ndihmë për Ukrainën, për shkak të krizës humanitare në vend.
“Kjo e çon totalin e ndihmës humanitare të BE-së si reagim në 348 milionë euro, nga të cilat 13 milionë i dedikohen Moldavisë për të mbështetur personat e zhvendosur që vijnë në vend”, ka theksuar Balazs Ujvari, zëdhënësi i Komisionit të BE-së për buxhetin dhe burimet njerëzore, ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizave.
Rusia hedh poshtë akuzat
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se ende nuk ka marrëveshje për eksportin e grurit ukrainas në Turqi ose në Lindjen e Mesme.
“Nuk është arritur ende asnjë marrëveshje. Puna është në rregull”, tha ai në një konferencë të rregullt me gazetarë, duke komentuar mbi marrëveshjet e mundshme të grurit me Turqinë ose Lindjen e Mesme.
Peskov nuk mundi të konfirmonte për CNN-në se vagonët e parë që transportonin grurë ukrainas nga qyteti i pushtuar nga Rusia, Melitopol, ishin nisur për ndonjë treg.
Një udhëheqës në administratën ushtarake të mbështetur nga Rusia të pjesës së pushtuar të rajonit të Zaporizhzhia tha të mërkurën se vagonët e parë me drithëra ishin nisur nga Melitopoli dhe kishin kaluar përmes Krimesë “në drejtim të Lindjes së Mesme”.
Këshilli Agrar i Ukrainës akuzoi Rusinë se ka vjedhur rreth 600 mijë tonë drithëra ukrainase, edhe pse Rusia e mohon.
Udhëheqësit globalë kanë dënuar bllokadë njëmujore nga forcat ruse në portet kryesore në Ukrainë – duke përfshirë Mariupolin në Detin Azov dhe Odesën në Detin e Zi – që ka lënë më shumë se 20 milionë tonë drithë të bllokuar brenda vendit.
Rusia shtyp kritikët e luftës
Autoritetet ruse kanë vazhduar fushatën e shtypjes kundër aktivistëve që kanë ngritur zërin ndaj luftës në Ukrainë. Të mërkurën, gjykata ruse ka vazhduar paraburgimin e një kritiku duke konfirmuar edhe akuzat për dy të tjerë. Rusia ka miratuar ligjin që dënon deri në 15 vjet burgim të gjithë ata që përhapin lajme të rrejshme për luftën. Ligji u miratua pak ditë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Regjimi i presidentit Vladimir Putin ia ka vazhduar paraburgimin gazetarit Vladimir Kara-Murza i Riu. Ai është akuzuar për përhapje të informacioneve të rrejshme në lidhje me forcat e armatosura të shtetit.
Gazetari gjatë viteve 2015 dhe 2017 u mbijetoi helmimeve për të cilat fajësoi qeverinë e Putinit. Edhe aktivistë të tjerë, që jetojnë nëpër shtetet evropiane, kanë konfirmuar se Rusia ka hapur raste ndaj tyre. Të gjithë janë akuzuar për përhapje të informacioneve të rrejshme për ushtrinë ruse.
Përgatiti: Rexhep Maloku