Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ftuar presidentin polak, Andrzej Duda dhe kryeministrin Donald Tusk, që të takohen me të në kufirin Poloni-Ukrainë, për të diskutuar për zgjidhjen e problemit me grurin, që ka ndikuar në krijimin e bllokadave nga fermerët.
“Dëshiroj t'i drejtohem shoqërisë polake dhe të shpreh mirënjohjen e Ukrainës për këdo që bën dallimin midis manipulimit politik dhe çështjeve kritike të sigurisë kombëtare,” ka shkruar Zelensky në X, raporton CNN.
Ai i ka bërë thirrje edhe Komisionit Evropian që ta dërgojë një përfaqësues për ta ndjekur takimin.
“Na mjafton prania e Moskës në tokat tona. Na mjaftuan keqkuptimet. Ne nuk duhet të poshtërojmë njëri-tjetrin, nuk duhet të poshtërojmë as fermerët ukrainas apo polakë. Ne kemi nevojë për unitet”, është shprehur presidenti ukrainas.
Fermerët në Poloni kanë bllokuar rrugët në kufirin me Ukrainën. Ata janë zotuar se do të vazhdojnë me protestat, të cilat nisën më 9 shkurt, për 30 ditë. Veprime të ngjashme kanë ndodhur edhe në shtetet e tjera, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën, Rumaninë, Greqinë, Gjermaninë dhe Holandën.
Sipas fermerëve, importet e lira të grurit ukrainas kanë ulur çmimet e brendshme dhe kanë goditur shitjet e prodhuesve vendas. Ata thonë se fermerët evropianë nuk mund të konkurrojnë me çmimin e grurit ukrainas, dhe kanë kërkuar kompensim nga Komisioni Evropian.
Ukraina shpesh quhet "shporta e bukës së Evropës" për shkak të sasive të mëdha të drithit që prodhon. Kur Rusia bllokoi portet ukrainase të Detit të Zi, ngjalli frikë për furnizimet globale të ushqimit dhe nxiti Komisionin Evropian të krijojë atë që e quajti "korsi solidariteti" në maj 2022, për të lehtësuar eksportet. Komisioni eliminoi gjithashtu përkohësisht të gjitha detyrimet dhe kuotat mbi eksportet e Ukrainës, duke lejuar që një tepricë e grurit të lirë të rrjedhë në Evropë.
Zemërimi u rrit pasi Komisioni Evropian njoftoi për një projektvendim për të zgjatur importet pa taksa dhe pa kuota të grurit ukrainas deri në qershor të vitit 2024.