Qeveria e Australisë ka blerë të drejtën e autorit për flamurin aborigjen, duke e bërë atë të disponueshëm lirisht për përdorim publik dhe duke i dhënë fund një beteje të gjatë mbi dizajnin.
Në një marrëveshje me vlerë më shumë se 20 milionë dollarë australianë (14 milionë dollarë), qeveria e kryeministrit Scott Morrison siguroi të drejtat nga artisti indigjen Harold Thomas, i cili krijoi flamurin mbi 50 vjet më parë.
Marrëveshja do të thotë se flamuri tani mund të riprodhohet në veshje, mallra, fanella sportive ose vepra arti pa leje dhe pa pagesë. Në një deklaratë, Morrison tha se flamuri ishte “liruar”, duke shtuar se administrata e tij “kishte kërkuar të mbronte integritetin e flamurit aborigjen, në përputhje me dëshirat e Harold Thomas”.
Dizajni i kuq, i zi dhe i verdhë është njohur si një flamur zyrtar i Australisë që nga viti 1995. Por u bë objekt i një mosmarrëveshjeje tregtare kur një kompani që licencoi imazhin nga Thomas filloi të kërkonte pagesë nga organizata të ndryshme që e përdorin atë, duke përfshirë një bamirësi shëndetësore, disa marka veshjesh dhe Liga Kombëtare e Ragbit të Australisë.
Një hetim parlamentar i vitit 2020, i cili mbështeti përpjekjet e qeverisë për të marrë të drejtat nga artisti, i përshkroi veprimet e të licencuarit si “të rënda”, por “krejtësisht të ligjshme”.