Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka gjetur kohë të hënën të urojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për fitoren në zgjedhjet presidenciale e parlamentare, të mbajtura të dielën.
Putini, që më 24 shkurt, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës dhe për këtë është vënë në thumb të kritikave e sanksioneve ndërkombëtare, pret që të vazhdojë bashkëpunimi Rusi – Serbi.
"Unë pres që puna juaj në krye të shtetit do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e partneritetit strategjik që ekziston midis vendeve tona. Kjo, padyshim, korrespondon me interesat e popujve vëllazërorë të Rusisë dhe Serbisë", thuhet në mesazhin e urimit të Putinit, përcjell B92 të hënën.
Serbia është ndër vendet e pakta evropiane që ka refuzuar t’u bashkohet shteteve perëndimore për sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Vuçiqi, sipas numërimit të deritashëm të votave, ka fituar edhe një mandat në krye të shtetit, ndërkohë partia e tij, ajo Përparimtare Serbe, shumicën në parlament.