Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia nuk do të përulet kurrë para presionit amerikan, por ka pranuar se sanksionet e reja mund të shkaktojnë dëme financiare, pas raportimeve se Kina e India kanë vendosur të zvogëlojnë importet e naftës ruse pasi Uashingtoni shënjestroi dy prodhuesit më të mëdhenj të Moskës.
Udhëheqësi rus i ka përshkruar sanksionet e SHBA-së si “akt jomiqësor që nuk bën asgjë për të forcuar marrëdhëniet ruso-amerikane” dhe përpjekje për të ushtruar presion mbi Rusinë, gjë që ai e quajti “të kotë”.
“Asnjë vend që respekton veten nuk bën kurrë asgjë nën presion”, ka shtuar Putini para gazetarëve rusë, raportoi "The Guardian".
Derisa theksoi se sanksionet e reja nuk do të kenë ndikim të rëndësishëm në Rusi, ai pranoi se pritet të ketë humbje.
Sanksionet e fundit të SHBA-së u ndalojnë vendeve dhe kompanive të huaja të bëjnë biznes me prodhuesit kryesorë të naftës në Moskë dhe i shkëputin ata nga pjesa më e madhe e sistemit financiar ndërkombëtar.