Botë

Putini thotë se s’do të ketë më luftëra nëse Perëndimi e trajton Rusinë me respekt

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se nuk do të ketë më luftëra pas Ukrainës, nëse Rusia trajtohet me respekt nga Perëndimi, teksa i ka hedhur poshtë pretendimet se Moska po planifikon të sulmojë vendet evropiane, raportoi të shtunën BBC-ja.

Këtë deklaratë Putini e dha pasi u pyet nga BBC-ja nëse do të kishte “operacione të reja ushtarake speciale” – term ky i përdorur nga vetë Putini për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

“Nuk do të ketë asnjë operacion nëse na trajtoni me respekt, nëse respektoni interesat tona ashtu siç ne jemi përpjekur gjithmonë të respektojmë tuajat”, ka theksuar ai.

Ditë më parë Putini pati thënë se Rusia nuk planifikon të shkojë në luftë me Evropën, por ka shprehur gatishmëri nëse evropianët duan.

Putini përsëri pretendoi se është i gatshëm për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë “në mënyrë paqësore”, por ofroi pak shenja kompromisi.

Agjencitë evropiane të inteligjencës kanë paralajmëruar se Rusia është vetëm pak vite larg sulmit ndaj NATO-s. 

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar Perëndimi duhet të jetë i përgatitur për luftë nga Rusia.