Botë

Putini njofton testimin e dronit nënujor me energji bërthamore

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Rusia ka kryer një provë të suksesshme të një droni të ri nënujor me energji atomike dhe i cili mund të përmbajë armë bërthamore, ka thënë të mërkurën presidenti Vladimir Putin, duke deklaruar se ai nuk mund të interceptohet.

Njoftimi i Putinit vjen vetëm pak ditë pasi ai përshëndeti një provë të suksesshme të një rakete të re lundrimi me energji bërthamore.

Putini ka thënë se droni "Poseidon" u testua për herë të parë të martën, duke e përshkruar atë si një "sukses të madh". Ai tha se "Poseidon" është i pakrahasueshëm në shpejtësi dhe thellësi dhe "nuk ka asnjë mënyrë për ta interceptuar atë".

“Fuqia e prodhuar nga Poseidon tejkalon ndjeshëm atë të raketës sonë më të përparuar me rreze ndërkontinentale, Sarmat”, ka shtuar presidenti rus.

Duke zhvilluar stërvitje bërthamore dhe duke u mburrur për një provë të suksesshme të raketave dhe dronëve të rinj, Putini po i dërgon një mesazh presidentit të SHBA-së Donald Trump se Moska nuk do të detyrohet të bëjë lëshime për Ukrainën, raporton AP.

Përballë thirrjes së Trumpit për një armëpushim të shpejtë dhe sanksioneve të reja të ashpra të SHBA-së mbi industrinë e naftës së Rusisë, Putini po ua kujton përsëri SHBA-së dhe aleatëve të tjerë perëndimorë të Kievit, arsenalin e tij bërthamor për të mbështetur kërkesat e tij të kahershme maksimaliste.

Ai ka thënë se Ukraina duhet të tërheqë forcat e saj nga katër rajonet që Rusia i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme, por që nuk i ka pushtuar kurrë plotësisht, si dhe të braktisë përpjekjen e saj për t'u bashkuar me NATO-n, kërkesa të refuzuara nga Kievi dhe aleatët e saj perëndimorë.