Ministria e Mbrojtjes e Rusisë emëroi të shtunën gjeneralin e Forcave Ajrore, Sergei Surovikin, si komandantin e përgjithshëm të forcave ruse që luftojnë në Ukrainë, emërimi i tretë i lartë ushtarak i Moskës në hapësirën e një jave, shkruan Reuters.
Ndryshimi vjen pas shkarkimit të raportuar në fillim të kësaj jave të komandantëve të dy prej pesë rajoneve ushtarake të Rusisë, pasi forcat e saj kanë pësuar humbje dramatike në Ukrainën verilindore dhe jugore në javët e fundit.
Vetë Moska nuk kishte specifikuar më herët se dikush është në komandën e përgjithshme ushtarake të luftës që kur nisi ofensivën në Ukrainë më 24 shkurt.
Surovikin, 55 vjeç, ka udhëhequr Forcat Ajrore dhe Hapësinore të Rusisë që nga viti 2017. Sipas faqes së internetit të Ministrisë, ai komandonte një divizion rojesh të stacionuar në Çeçeni në vitin 2004, gjatë luftës së Moskës kundër rebelëve islamikë dhe iu dha një medalje për shërbimin e tij në Siri më 2017.