Botë

Punonjësi i Pallatit Elysee akuzohet për vjedhje të gjësendeve në vlerë rreth 40 mijë euro

Pallati Elysee

Foto: Pierre Hounsfield/Gamma-Rapho/Getty Images

Një punonjës në Pallatin Elysee në Paris është arrestuar për vjedhje të enëve të argjendit dhe porcelanit, mes një vale vjedhjesh në institucionet franceze të profilit të lartë, raporton “The Guardian”. 

Hetuesit kanë arrestuar një burrë dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar javën e kaluar. Ata akuzohen për vjedhje të gjësendeve me vlerë nga rezidenca zyrtare e presidentit francez në Paris dhe ishin përpjekur më pas t’i shesin në faqet e ankandit online si “Vinted”. 

Kryepunëtori në Pallat njoftoi autoritetet për objekte të humbura, disa prej të cilave konsiderohen objekte të trashëgimisë kombëtare. Gjësendet vlerësohen të kenë një vlerë totale rreth 40 mijë euro. 
Shumica e gjësendeve vinin nga “Sevres Manufactory” në Pairs, një fabrikë e famshme porcelani që është në pronësi të shtetit francez që nga viti 1759. 

Hetuesit nisën të merrnin në pyetje stafin në Elysee pasi personeli i fabrikës vërejti disa gjësende të humbura që po shiteshin në faqet e ankandeve. 

Është vjedhje e radhës nga një sërë vjedhjes që ka ndodhur në Francë muajt e fundit, përfshirë në muzeun e Louvret. 

Roli i kujdestarit të argjendtit përfshin ruajtjen dhe kujdesin për enët e tavolinës dhe artikuj të ngjashëm të përdorur nga presidentët, anëtarë të familjeve mbretërore e personalitete tjera që vizitojnë Pallatin. Prokurorët thanë se të dhënat e inventarit të bëra nga kujdestari i arrestuar dhanë përshtypjen se ai po planifikonte vjedhje të ardhshme. 

Sipas hetuesve, llogaria Vinted e të arrestuarit përfshin një pllakë të stampuar të “Forcave Ajrore Franceze” dhe një taketuke të shënuar “Sevres Manufactory” – artikuj që nuk janë të disponueshëm për publikun e gjerë. 

Thanë se u gjetën rreth 100 gjësende në shtëpinë, automjetin dhe dollapin personal të  arrestuarit.
Kujdestari dhe dy bashkëpunëtorët e dyshuar u paraqitën në gjykatë më 18 dhjetor, ndërsa do të gjykohen më 26 shkurt.