Botë

Punonjësi i Mar-a-Lagos paraqitet për herë të parë në gjykatë për dokumentet e klasifikuara

Administratori i pronës Mar-a-Lago të ish-Presidentit Donald Trump u paraqit për herë të parë në gjykatë të hënën për akuzat në kuadrin e çështjes gjyqësore ndaj ish-presidentit për dokumentet e klasifikuara. Procesi nuk vazhdoi më tej me vetëdeklarimin e tij pasi ai nuk ka arritur ende të gjejë një avokat që ta përfaqësojë atë në shtetin Florida.

Carlos De Oliveira akuzohet se në bashkëpunim me ish-presidentin Trump u përpoq të fshinte filmimet e kamerave të sigurisë që kërkoheshin nga prokurorët që po hetojnë marrjen dhe mbajtjen nga ish-presidenti të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Palm Beach. Emri i De Oliveira iu shtua aktakuzës të përgatitur ndaj ish-presidentit Trump dhe ndihmësit të tij Walt Nauta, dhe ai akuzohet ndër të tjera për konspiracion për të penguar drejtësinë dhe se gënjeu hetuesit.

De Oliveira, i veshur me kostum blu dhe kravatë, iu përgjigj pyetjeve të gjykatësit gjatë një seance të shkurtër në gjykatën federale të Majamit. Ai u urdhërua të dorëzojë pasaportën dhe të nënshkruajë një marrëveshje ku bie dakord të paguajë 100 mijë dollarë nëse nuk paraqitet sërish në gjykatë. Ai kishte përfaqësues ligjor avokatin nga Uashingtoni John Irving, por sipas rregullave të gjykatës, atij i duhet një jurist vendas që të vazhdojë procedura me ngritjen e akuzave, e cila ishte parashikuar për t’u mbajtur në datën 10 gusht, në Fort Pierce.

Irving u tha gazetarëve pas seancës se pret të shohë se çfarë provash do të ketë Departamenti i Drejtësisë. Ai nuk pranoi të komentojë nëse De Oliveira i është kërkuar të deponojë kundër Trumpit.

Paraqitja e De Oliveira në gjykatë erdhi ndërsa ish-presidenti përballet me mundësinë e akuzave të reja nga hetimet për përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve përballë Joe Bidenit në vitin 2020.

Ndërsa vazhdon të jetë kandidati kryesor për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane, ai është informuar se është objekt i një hetimi të prokurorit të posaçëm Jack Smith për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, dhe avokatët e tij u takuan javën e kaluar me ekipin e prokurorit Smith. Gjithashtu, një prokurore në Xhorxhia pritet të kërkojë ngritje akuzash nga një juri e madhe në javët në vazhdim, në kuadrin e hetimit të saj të përpjekjeve të Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet në atë shtet.

Ish-Presidenti Trump, i cili u vetëdeklarua i pafajshëm në qershor, ka mohuar se ka bërë ndonjë gjë të gabuar. Ai shkruajti në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se filmimet e sigurisë të Mar-a-Lagos iu dorëzuan vullnetarisht hetuesve dhe se atij i kishin thënë se ato nuk ishin fshirë në çfarëdolloj forme.

Prokurorët nuk kanë thënë se filmimet janë fshirë apo u janë fshehur prokurorëve.

Nauta gjithashtu u vetëdeklarua i pafajshëm. Gjykatësja Aileen Cannon pati caktuar një datë në muajin maj për fillimin e procesit gjyqësor ndaj Trump dhe Nauta, por nuk është tashmë e qartë nëse shtimi i De Oliveira në këtë çështje mund të ndikojë tek afatet kohore.

Aktakuza e fundit, e zbuluar të enjten, pretendon se ish-presidenti Trump u përpoq të fshinte pamjet e kamerave të sigurisë pasi hetuesit vizituan objektin në qershor 2022 për të mbledhur dokumentet e klasifikuara që ish-presidenti mori me vete pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. /VOA