Botë

Gjyqi ndaj Donald Trumpit, më 20 maj 2024

Një gjykatëse federale e ka caktuar gjyqin e ish-presidentit Donald Trump për keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara, për pranverën e vitit të ardhshëm. Trump kishte kërkuar që gjyqi të shtyhej deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024. Ai do të përballet me akuza të rënda për ruajtjen e dosjeve të ndjeshme në shtëpinë e tij në Florida

Një gjykatëse federale në Florida ka caktuar një datë gjyqi për majin e ardhshëm për ish-presidentin Donald Trump, në çështjen që e akuzon atë për mbajtje të paligjshme të qindra dokumenteve të klasifikuara.

Data e gjykimit e 20 majit 2024, e caktuar të premten nga gjykatësja e qarkut e SHBA-së, Aileen Cannon, është kompromis midis një kërkese të prokurorëve për ta caktuar gjykimin për këtë dhjetor dhe një përpjekje të avokatëve mbrojtës për ta shtyrë atë për një kohë të pacaktuar deri diku pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Nëse data qëndron, ajo do të vinte pas gjyqit të veçantë në Nju-Jork për Trumpin për dhjetëra akuza shtetërore rreth falsifikimit të të dhënave të biznesit dhe një pagese të supozuar për një aktore të pornografisë. Kjo do të thotë gjithashtu se gjyqi nuk do të fillojë deri në fund të kalendarit të emërimit presidencial dhe ndoshta shumë kohë pasi nominimi i kandidatit republikan të jetë i qartë.

Duke e shtyrë gjyqin ndryshe nga 11 dhjetori, që kishte kërkuar Departamenti i Drejtësisë, gjykatësja Cannon ka arsyetuar duke shkruar se “orari i propozuar nga qeveria është në mënyrë jo tipike i përshpejtuar dhe në kundërshtim me sigurimin e një gjykimi të drejtë”. Ajo ra dakord me avokatët mbrojtës se sasia e provave që do të duhej të analizoheshin përpara gjyqit, duke përfshirë informacionin e klasifikuar, ishte “voluminoze”.

“Gjykata konstaton se interesat e drejtësisë të shërbyera nga kjo vazhdimësi tejkalojnë interesin më të mirë të publikut dhe të të pandehurve në një gjykim të shpejtë”, ka shkruar Cannon.

Trump mund të përballet me prova shtesë vitin e ardhshëm. Ai zbuloi këtë javë se kishte marrë një letër që e informonte se ishte objektiv i një hetimi të veçantë të Departamentit të Drejtësisë në përpjekjet për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, një tregues se akuzat mund të vijnë së shpejti. Edhe prokurorët në Gjeorgjia planifikojnë të shpallin vendimet e akuzës brenda javësh në një hetim mbi përpjekjet e Trumpit dhe aleatëve të tij për ta përmbysur votimin në atë shtet.

Gjyqi përpara Cannonit do të zhvillohej në një gjykatë federale në Fort Pierce.

Gjyqi vjen nga një padi me 38 pika, e ngritur nga këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, i cili e ka akuzuar Trumpin për grumbullimin e qëllimshëm të dokumenteve të klasifikuara, duke përfshirë të dhënat top sekrete, në pronën e tij në Mar-a-Lago në Palm Beach dhe për komplot me shërbëtorin e tij, Walt Nauta, për t’i fshehur ato nga hetuesit që kërkuan kthimin e tyre.

Trump dhe Nauta janë deklaruar të pafajshëm.

Përktheu: Blerta Haxhiu