Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Protestuesit në Sri Lanka zotohen të qëndrojnë derisa Rajapaksa të dorëhiqet

Protestuesit në Sri Lanka të dielën kanë qëndruar në shtëpinë e presidentit Gotabaya Rajapaksa, në zyrën buzë detit dhe rezidencën e kryeministrit, duke theksuar se do të qëndrojnë aty derisa të dy ta japin zyrtarisht dorëheqjen. Ushtarët u vendosën pranë rezidencës së Rajapaksas, ku protestuesit i kishin zaptuar zyrat e notonin në pishinë.

Autoritetet përkatëse në Sri Lanka kanë bërë thirrje për mbështetje publike dhe për ruajtjen e rendit dhe ligjit. Partitë politike opozitare do të takohen të dielën që të pajtohen për Qeverinë e re, një ditë pasi presidenti dhe kryeministri i vendit kanë ofruar dorëheqjen në ditën më dramatike të trazirave politike, me protestuesit që sulmuan shtëpitë e dy liderëve dhe i vunë zjarrin njërës prej ndërtesave shkaku i krizës ekonomike.

Opozitarët kanë bërë të ditur se të gjitha partitë opozitare së bashku mund t’i mbledhin lehtësisht 113 deputetët e nevojshëm për ta arritur shumicën në Parlament, me ç’rast ata do t’i kërkojnë Rajapaksas ta krijojë Qeverinë e re dhe më pas të ofrojë dorëheqjen.

Kryeministri ka njoftuar se do të largohet nga detyra sapo të krijohet Qeveria e re, e disa orë më vonë edhe kryetari i Parlamentit ka bërë të ditur se Rajapaksa do të largohej të mërkurën. Presioni mbi të dy politikanët ishte rritur pasi përkeqësimi ekonomik ka shkaktuar mungesa akute të artikujve thelbësorë, duke i lënë njerëzit të luftonin për të siguruar ushqim, karburant dhe gjëra të tjera të nevojshme.