Botë

Protesta në parlamentin e Hong Kongut ku po debatohet për projektligjin për himnin e Kinës

Policia dhe zjarrfikësit kanë hyrë në parlamentin e Hong Kongut të enjten pasi dy deputet pro-demokracisë kanë hedhur lëng me erë të keqe për të protestuar kundër shtypjes “vrasëse” të protestave nga trupat kineze në sheshin Tiananmen 31 vjet më parë, shkruan agjencia Reuters.

Deputetët Eddie Chu dhe Ray Chan kanë shkuar sallës gjatë debatit që po mbahej për projektligjin kundërthënës që do të kriminalizonte çdo mosrespekt ndaj himnit nacional të Kinës. Ata kanë gjuajtur lëng me erë të keqe, ndërsa sigurimi  i ka kapur ata. Policia dhe zjarrfikësit kanë ardhur më vonë në skenë. 

“Një shtet vrasës kundërmon përgjithmonë. Ajo që kemi bërë sot është për t’ia kujtuar botës se kurrë nuk duhet t’ia falim Partisë komuniste Kineze vrasjen e njerëzve të vet 31 vjet më parë”, ka thënë Chu më vonë, para se ai dhe Chan të largoheshin nga parlamenti. 
Një votim përfundimtar për projektligjin pritet më vonë të enjten ku njerëzit në Hong Kong do të shënojnë përvjetorin e shtypjes së përgjakshme të protestave në Tiananment në vitin 1989, duke ndezur qirinj nëpër qytet. 

Për herë të parë, policia ka ndaluar vigjiljen vjetore për të shënuar atë ngjarje që zakonisht organizohet në parkun Victoria, duke cituar se arsyeja është rreziku nga përhapja e koronavirusit. Tollovitë në trazira erdhën pasi deputetët pro-Kinë kanë vënë veton ndaj shumicës së ndryshimeve që ishin propozuar nga demokratët në projektligjin për himnin. 

Nëse kalon, atëherë ata që fyejnë himnin e Kinës mund të përballen me tri vjet burg apo gjobë deri 6450 dollarë. Është thënë se gjithë “individët dhe organizatat” duhet të respektojnë himnin nacional të Kinës dhe të lëshojnë atë dhe këndojnë në raste të caktuara. 
Tensionet në Hong Kong janë rritur pasi Pekini ka dhënë dritën e gjelbër javën e kaluar për të shkuar para me ligjet për siguri nacionale. 

Lëvizja shpejt është dënuar nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Australia e Kanadaja, si dhe nga grupet e të drejtave të njeriut, të shqetësuar se me këtë do të shtypen liritë e qytetarëve. 

Autoritetet kineze dhe qeveria e Hong Kongut e mbështetur nga Kina thonë se nuk ka rrezik ndaj autonomisë së lartë të qytetit.