Ligjvënësit e Hong Kongut kanë miratuar në mënyrë unanime të martën një ligj të sigurisë kombëtare, i cili i jep qeverisë më shumë fuqi për ta shtypur disidencën.
Ligji po shihet gjerësisht si hapi i fundit në një goditje gjithëpërfshirëse politike të shkaktuar nga protestat pro-demokracisë në 2019, raportoi AP.
Legjislatura miratoi projektligjin për mbrojtjen e sigurisë kombëtare gjatë një seance të posaçme. Ligji do të zgjerojë aftësinë e autoriteteve për të ndjekur penalisht qytetarët për vepra, duke përfshirë "bashkëpunim me forca të jashtme" për të kryer veprime të paligjshme, si dhe për t'i akuzuar ata për tradhti, kryengritje, spiunazh dhe zbulim të sekreteve shtetërore, ndër të tjera.
Miratimi ka ardhur pas një ligji të ngjashëm sigurie të vendosur nga Pekini në vitin 2020, i cili tashmë ka heshtur kryesisht zërat e opozitës në qendrën financiare.
Këshilli Legjislativ i Hong Kongut, i mbushur me besnikë të Pekinit pas një rishikimi zgjedhor, nxitoi miratimin e ligjit. Që kur projektligji u zbulua më 8 mars, një komitet mbajti takime ditore për një javë, pas një apeli të udhëheqësit të Hong Kongut, John Lee, për ta shtyrë ligjin përpara "me shpejtësi të plotë". Pas votimit, Lee tha se ligji do të hyjë në fuqi të shtunën. Miratimin ai e ka quajtur një moment historik.
Kritikët janë të brengosur se ligji do t’i shtypë edhe më shumë liritë civile të cilat Pekini kishte premtuar t’i mbrojë për 50 vjet, kur ish-kolonia britanike iu kthye ligjit kinez në vitin 1997.