Pas protestave të vitit 2019, Pekini ka deklaruar se “patriotët duhet ta drejtojnë Hong-Kongun”, duke rritur kontrollin e luajalistëve të saj në zgjedhje dhe duke miratuar ligjin për sigurinë kombëtare që ndëshkonte shumë forma të disidencës. Qeveria e Hong-Kongut ka përdorur ligjin për të arrestuar ish-deputetë opozitarë dhe aktivistë, të cilët morën pjesë në zgjedhjet jozyrtare
Si shumë njerëz në Hong-Kong, taksisti Leung Tat-chong e ndjen se qyteti po këndellet pas disa vitesh protestash, përndjekje nga pushteti dhe masave të pandemisë. E di se qyteti ka ndryshuar përgjithmonë.
Është duke fituar aq sa ka fituar para pandemisë. Mirëpo Leung, thotë se qyteti është i ndarë pas protestave të vitit 2019, në të cilat marshuan mijëra njerëz. Shumë prej tyre u përplasën me policinë në kundërshtim me qeverinë, e cila sipas tyre, është afruar me Pekinin.
Për herë të parë që prej fillimit të pandemisë, qyteti ka mirëpritur më shumë se 2 milionë vizitorë në muajin mars. Turmat e mëdha të koleksionuesve të artit mbushën dy katet e qendrës Art Basel Hong-Kong në fund të muajit mars. Të entuziazmuarit u kthyen në shitoret dhe stacionet e trenave të shpejtë.
Ama Leung shpesh nuk e ndez radion në taksi për shkak se lajmet apo programi mund t’i nxisë myshterinjtë e tij që të shajnë. Një përkrahës i qeverisë, kujdeset se çfarë thotë para shokëve me qëllim që të shmang debatin e ashpër.
Të jetosh në Hong-Kong në ditët e sotme do të thotë të përballesh me ndjenja kontradiktore. Në 20 intervista që ka realizuar “Associated Press”, shumë kanë thënë se kur përqendrohen në biznes dhe jetën e përditshme, shohin këndellje të shpejtë pas disa vitesh masash të rrepta. Mirëpo kur bëhet fjalë për çdo gjë politike, liria që dikur ishte e pashmangshme në ish-koloninë britanike, tani duket se janë zhdukur përgjithmonë.
Pas protestave të vitit 2019, Pekini ka deklaruar se “patriotët duhet ta drejtojnë Hong-Kongun”, duke rritur kontrollin e lojalistëve të saj në zgjedhje dhe duke miratuar ligjin për sigurinë kombëtare që ndëshkonte shumë forma të disidencës. Qeveria e Hong-Kongut ka përdorur ligjin për të arrestuar ish-deputetë opozitarë dhe aktivistë, të cilët morën pjesë në zgjedhjet jozyrtare.
Rritja ekonomike
Qeveria e Hong-Kongut thotë se gjërat janë kthyer në normalitet, mesazh i shpërndarë në fushatat për promovim të turizmit që i ka quajtur “Tungjatjeta Hong-Kong”.
Treguesit ekonomikë duket se e mbështesin këtë mesazh: shitjet me pakicë janë rritur, GDP-ja e vendit po rritet dhe papunësia është 3.1%. Në tremujorin e parë të vitit, qyteti priti 4.41 milionë vizitorë, rreth 12 herë më shumë se tremujori i mëparshëm dhe rreth 30% e niveleve para pandemisë.
Mak Kwai-pui, bashkëthemelues i zinxhirit “Dim Sum Tim Ho Wan”, thotë se biznesi i tij po korr përfitime. Turistët e huaj po mbushin restorantet e tij, diçka që ai nuk e kishte parë për tre vjet, duke ndihmuar në rritjen e të ardhurave në më shumë se 80 për qind të niveleve para pandemisë.

“Po kthehet vërtet. Është e vërtetë”, thotë ai.
Anne Kerr, kryetarja e Dhomës Britanike të Tregtisë në Hong-Kong, thotë se më shumë firma britanike po kërkojnë të hapin dyqane në Hong-Kong.
Një sondazh nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Hong-Kong në dy muajt e parë të 2023 tregoi se anëtarët e saj janë “me kujdes optimistë” për biznesin. Midis atyre me seli në Hong Kong, 61 për qind planifikoi të qëndronte për tre vitet e ardhshme, nga 48% vitin e kaluar. Por 9% planifikojnë të lëvizin, krahasuar me 5% vitin e kaluar.
Artisti vendas Wong Ka-ying thotë se edhe jeta kulturore po rimëkëmbet. Në Art Basel, ajo pa rritje të artistëve në zhvillim, hapësirave të pavarura të artit dhe aktiviteteve kulturore, duke i ofruar asaj më shumë ekspozim dhe mundësi.
Por, sipas saj, edhe në panairin magjepsës të artit, ajo ndjeu të ftohtin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare. Arti ndihej më i zbutur se në vitet e kaluara dhe arti i hapur politik ishte i rrallë. Në Universitetin Kinez të Hong Kongut, ku ajo jep mësim, këshillon studentët e saj që të planifikojnë punën e tyre me kujdes.
“Ndoshta duket njësoj në sipërfaqe. Por kur shikoni me një xham zmadhues, do të shihni se thelbi nuk është i njëjtë”, thotë 32-vjeçarja.
Ligji i rreptë
Kur Cyrus Chan vendosi të organizojë protestën kundër propozimit për rikuperimin e tokës dhe ndërtimin e objekteve të përpunimit të mbetjeve, ndryshimet nuk ishin delikate.
Hong Kongu dikur kishte traditë të gjallë të politikës së rrugës, nga marshimet masive te çështjet lokale. Por Cyrus Chan, një nga organizatorët e marshit, thotë se policia u tha organizatorëve se ata mund të kishin vetëm 100 persona. Pjesëmarrësit u paralajmëruan të mos vishnin të zeza, siç bënë shumë protestues gjatë protestave të 2019-ës. Ata gjithashtu diskutuan parullat e tyre me policinë paraprakisht.
Edhe me miratimin zyrtar, ishte përvojë e hidhur, thotë Chan. Për një javë përpara marshimit, ai kontrollonte raportet e lajmeve, forumet në internet dhe mediat sociale çdo orë për të parë nëse diçka kishte ndryshuar.
Atë ditë, pjesëmarrësve iu kërkua të mbanin distinktivë me numër rreth qafës dhe duhej të ecnin brenda një zone të rrethuar.
Pas protestës, Chan thotë se ende nuk mund të largohej nga rojet e tij. Më 2 prill, ministri i sigurisë Chris Tang thotë se “disa njerëz” që i krahasonin etiketat me numër me zinxhirët e qenve ose shiritat e krahëve që nazistët u detyronin hebrenjve, po nxisnin urrejtje kundër qeverisë - flamur i kuq për shumë aktivistë sipas ligjit të rebelimit. Chan kishte bërë më parë analogjinë naziste në një emision radiofonik.
“Ata që thonë se qyteti do të kthehet në kohët e vjetra ... gënjejnë. Të gjithë e dinë se është e pamundur”, thotë Chan.
Javë më vonë, një ish-udhëheqës i një sindikate tashmë të shpërbërë pro-demokratike tërhoqi planin e tij për të mbajtur një marsh në Ditën e Punës, thotë bashkë-organizatori i këtij marshi. Ligji i Sigurisë Kombëtare parandaloi zbulimin e detajeve të mëtejshme.
Leung, shoferi i taksisë, pajtohet që një pjesë e Hong Kongut nuk do të kthehet më. Por jeta duhet të vazhdojë.
“Si një person i zakonshëm, unë nuk mund të bëj asgjë për politikën”, thotë ai. “Unë thjesht do të vazhdoj të jetoj jetën time të thjeshtë dhe të pazbukuruar”.
Përktheu: Gent Mehmeti