Për të dytin vit radhazi, autoritetet në Hong-Kong kanë ndaluar vigjiljet vjetore për ngjarjen. Krejt kjo me arsyetimin e kufizimeve kundër përhapjes së pandemisë. Zyrtarët gjatë së premtes kanë arrestuar aktivisten Chow Hang Tung, ndërkaq kanë mbyllur parkun Victoria – ku rëndom mbahen tubimet përkujtimore – dhe kanë shpërndarë turmat e mbledhura me qirinj dhe drita telefonash celularë në duar
Qytetarët në Hong-Kong kanë shënuar 32-vjetorin e masakrës në sheshin Tiananmen të premten, por në një mënyrë shumë më të heshtur sesa në vitet e shkuara.
Makao dhe Hong-Kongu janë vendet e vetme në Kinë ku njerëzit mund ta shënojnë përvjetorin e shtypjes së përgjakshme më 1989 të demonstratave pro demokracisë në Pekin nga ana e ushtarëve kinezë. Bilanci i të vdekurve në ngjarjen e atij katër qershori ndryshon, nisur prej qindrave e deri te disa mijëra.
Por, për të dytin vit radhazi, autoritetet në Hong-Kong kanë ndaluar vigjiljet vjetore për ngjarjen. Krejt kjo me arsyetimin e kufizimeve kundër përhapjes së pandemisë, ka shkruar agjencia britanike BBC.
Zyrtarët gjatë së premtes kanë mbyllur parkun Victoria – ku rëndom mbahen tubimet përkujtimore – dhe kanë shpërndarë turmat e mbledhura me qirinj dhe drita telefonash celularë në duar.
Përvjetori i sivjetmë është i parë që prej hyrjes në zbatim të ligjit të ri kundërthënës për sigurinë, i cili kishte për qëllim t’i jepte fund lëvizjes pro demokraci në qytet dhe ta kriminalizonte disidencën.
Për më tepër, gjatë së premtes, zyrtarët kanë arrestuar aktivisten e njohur pro demokraci, Chow Hang Tung, e cila është zëvendësshefe e Aleancës Hong-Kong që organizon tubimet e përvitshme për përkujtimin e viktimave të shtypjes në sheshin Tiananmen, ka raportuar agjencia britanike.
Me mijëra qytetarë kanë sfiduar ndalesën e vitit të shkuar për rastin, duke i rrëzuar barrierat e vendosura përreth parkut Victoria. Përkujtimet e sivjetme janë frenuar. Ligji i ri i sigurisë – i miratuar më 2020 – e bën më të lehtë ndëshkimin e protestuesve dhe njëherësh e cungon autonominë e Hong-Kongut.
Megjithëkëtë, BBC-ja ka raportuar se janë adresuar thirrje online nga aktivistët për ndezjen e qirinjve, dritave të shtëpive dhe madje cigareve, për ta shënuar ngjarjen.
Ndërkaq, policia ka paralajmëruar arrestime të tjera, derisa shefja ekzekutive e Hong-Kongut, Carrie Lam, ka thënë se qytetarët duhet ta respektojnë ligjin.
Viteve të shkuara ka pasur demonstrata masive rrugore për shënimin e përvjetorit. Me mijëra qytetarët kishin marrë pjesë në ngjarjen e ndezjes së qirinjve më 2019, teksa vitin e shkuar organizimi i përvitshëm ka mundur të mbahej.
Në Kinë autoritetet kanë ndaluar madje referencën e dukshme për ngjarjet e 4 qershorit të vitit 1989. Online, çdo diskutim për shtypjen censurohet në mënyrë strikte, ka shkruar BBC.
Tajvani ndërkaq e shënon përvjetorin akëcilin vit, duke e shfrytëzuar ngjarjen për ta kritikuar Kinën dhe për ta nxitur Pekinin që t’i përqafojë reformat e njëmendta politike.
“Besoj se të gjithë tajvanezët që janë krenarë për lirinë dhe demokracinë e tyre nuk do ta harrojnë kurrë këtë ditë dhe do t’i përmbahen fuqimisht besimit të tyre, të palëkundur nga stuhitë”, ka shkruar presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, në llogarinë e saj në Twitter.