Botë

“I përndjekur përjetë”: Historia e protestuesit kinez të Tiananmenit

Fan mori pjesë në protestat e vitit 1989, duke u bashkuar me mijëra studentë nga e gjithë Kina në Sheshin Tiananmen. Mirëpo u largua nga Pekini në fund të majit para sulmit të ushtrisë. Sytë i përloten sa herë kujton ngjarjen

Pekin, 3 qershor (AP) – Shtypja vdekjeprurëse e protestave pro demokracisë në Sheshin Tiananmen nga Partia Komuniste e Kinës gjatë 1989-s nuk përfundoi kurrë për Fan Baolin, i cili vuajti 17 vjet burgim. Thotë se iku nga Kina vitin e kaluar vetëm për t’i shpëtuar mbikëqyrjes së rreptë me kamera të sigurisë të vendosura rreth e përqark banesës së tij dhe presionit të vazhdueshëm ndaj familjes që të pengohej aktivizmi i tij.

Fan, i cili mori pjesë në demonstrata dhe më vonë punoi për aparatin e gjerë të sigurisë së partisë, u arrestua më 1999 për bashkëpunim me aktivistët e jashtëm. U ofroi dokumente sekrete në lidhje me mbikëqyrjen e të internuarve pro demokracisë. Ani pse u lirua në vitin 2016, ai ishte në mesin e njerëzve që një gjeneratë më vonë u mbikëqyrën nga partia, me qëllim që të shlyhej kujtesa kolektive për atë që ndodhi në zemër të Pekinit.

“Lista e zezë”

“Nëse një herë hyni në listën e zezë të Qeverisë kineze, do të gjurmoheni për krejt jetën”, thotë Fan për Associated Press, një ditë para përvjetorit të sulmit ushtarak ndaj protestuesve.

Rrëfimin e shpalosi nga një shtet tjetër aziatik. Kërkoi që shteti të mos identifikohej pasi qeveria po e shqyrton kërkesën e tij për azil.

Udhëheqësit e partisë kanë burgosur ose kanë detyruar mërgimin e aktivistëve, dhe ia kanë dalë që të rinjtë të dinë shumë pak për 4 qershorin famëkeq. Megjithëkëtë, pas më shumë se tri dekadash dhe tri ndryshimeve të udhëheqjes, Partia Komuniste ende nuk ka ndalur përpjekjet për të shlyer nga memoria sulmin, në të cilin mbetën të vrarë qindra, ndoshta edhe me mijëra njerëz.

Të afërmit e protestuesve të vrarë çdo vit ndiqen dhe pak para përvjetorit të ngjarjes shpesh edhe arrestohen ose detyrohen të qëndrojnë larg shtëpisë me qëllim që të mos tërheqin vëmendjen për ngjarjen e rëndë. Përkujtimet publike në Kinë gjithmonë kanë qenë të ndaluara. Vigjiljet mbaheshin hapur në Hong-Kong dhe Makao, territore këto me pak kontroll politik, por sivjet pushteti komunist ndaloi ngjarjet e tilla.

“Ata e kanë ashpërsuar shtypjen”, thotë Yaqiu Wang i Human Rights Watch, në një raport të publikuar në qershor.

Pas lirimit nga burgu, Fan jetoi në vendlindjen e tij Xi’an, në perëndim të Kinës. Jetën e kalonte nën mbikëqyrje dhe kufizime të ashpra. Thotë se policia e bindi të mos largohej nga qyteti. Ia gjurmoi telefonin dhe ia dëgjoi krejt thirrjet.

Image
Aktivisti pro demokracisë, Fan Baolin, nuk i ka treguar askujt se përse vendosi të ikte nga Kina. “Nuk do të kthehem në Kinë. Kjo është një rrugë pa kthim”

Shqetësimi për familjen

Për të mbrojtur familjen e tij, Fan thotë se ka pak kontakt me ta. Nuk u ka rrëfyer gjë për aktivitetet e tij. Ishte i shqetësuar se edhe familja mund të dënohej nëse ai vetë do të akuzohej për krime të mundshme.

“I kontrolluan vëllanë dhe motrën time”, thotë ai. “Autoritetet donin që familja të më bindte që të mos merrja pjesë më në aktivitete dhe as t’i takoja ata”, thotë ai.

Sa për të afërmit e tjerë, “marr iniciativë për të mbajtur distancën me ta”, thotë Fan.

“Siç e dinë të gjithë, telefoni im monitorohet, kështu që sapo bëj telefonatën ata përgjigjen shpejt, sepse janë të frikësuar”, thotë Fan. “Kjo është atmosfera e frikës që krijohet nga politika e presionit të lartë nga Partia Komuniste”.

Fan thotë se kur udhëtoi në qytete të tjera më 2017 për t’i vizituar miqtë, policia e merrte në telefon çdo ditë dhe e pyeste për aktivitetet ditore. Thotë se kur bëri një pushim të shkurtër në provincën Yunnan gjatë vitit 2018, policia e kapi dhe e ktheu në Xi’an.

Fan mori pjesë në protestat e vitit 1989, duke u bashkuar me mijëra studentë nga e gjithë Kina në Sheshin Tiananmen. Mirëpo u largua nga Pekini në fund të majit para sulmit të ushtrisë. Sytë i përloten sa herë kujton ngjarjen.

Më vonë, Fan studioi për juridik dhe punoi si këshilltar ligjor përpara se t’i bashkohej policisë në provincën Shanxi, në perëndim. Në vitin 1994 u transferua në një agjenci shtetërore të sigurisë. Kishte për detyrë të mbikëqyrte publikun dhe të lexonte letrat që u vinin me postë. Krejt këto i bëri për të kërkuar lidhje të mundshme me organizatat e huaja. Ama, kishte shpresë për një Kinë demokratike.

Informacionet sekrete

Fan u dënua për zbulimin para të huajve të sekreteve shtetërore, kur i dërgoi me faks dokumente të ndryshme lëvizjes pro demokraci në Los Angeles dhe për shprehjen e përkrahjes, thuhet në një dokument nga raporti i dënimit të tij. Në këtë raport thuhej se ai ka premtuar se do të përdorte postin për të siguruar dokumente të Inteligjencës.

Raporti nuk ofron asnjë hollësi mbi dokumentet për të cilat Fan akuzohej se i kishte ofruar te organizata amerikane.

“Nuk e bëra për paratë e Tajvanit apo të Qeverisë amerikane. Isha në anën e lëvizjes pro demokracisë dhe sigurova inteligjencën për miqtë brenda lëvizjes”, thotë Fan.

Rasti i tij u bë i ditur për grupet e të drejtave të njeriut në vitin 2007 nga ish-i burgosuri Zhao Changqing, thuhet në raportin e fondacionit “Dui Hua” në San Francisco që heton burgjet kineze. Pas kësaj, Fan u përfshi në listën e të burgosurve politikë nga Duihua dhe grupet e tjera për të drejtat e njeriut.

Image
Të afërmit e protestuesve të vrarë çdo vit ndiqen, dhe pak para përvjetorit të ngjarjes në Kinë, shpesh edhe arrestohen ose detyrohen të qëndrojnë larg shtëpisë me qëllim të mos e tërheqin vëmendjen për ngjarjen e rëndë

Rruga pa kthim

Fan thotë se pas lirimit nga burgu, policia e mori për dreka dhe darka para datave të ndjeshme politike. Ishin pjesë e përpjekjeve për ta mbajtur nën kontroll.

“Ata ktheheshin, bënin listën e detajeve të takimit me mua dhe raportonin vazhdimisht në nivelet e larta të së ashtuquajturës dinamikë të mendimeve të mia para periudhave të ndjeshme dhe në ato aktivitete që morëm pjesë”, thotë ai.

Fan, që mbush 57 vjet këtë muaj, nuk u martua dhe kurrë nuk pati fëmijë. Thotë se prindërit i vdiqën sa e vuante dënimin me burgim. Lajmin për vdekjen e tyre kurrë nuk e mori. Këtë e mësoi kur u la i lirë, më shumë se dhjetë vjet pas vdekjes së tyre.

Thotë se kamerat ishin të vendosura edhe në apartamentin që prindërit e blenë pak para vdekjes. Është i mendimit se kjo i shtynte të afërmit që të mos i vizitonin.

Sot, Fan jeton në një apartament me një shtrat teksa po pret vendimin rreth kërkesës së tij për azil. Është bërë i krishterë dhe kohën e kalon duke lexuar Biblën në telefonin e tij.

Dy vjetët e parë të lirimit nga burgu rrallë dilte jashtë, sepse për të “bota ishte shumë e çuditshme”.

Fan thotë se kur e vizitoi Pekinin në 30-vjetorin e protestave të Tiananmenit gjatë 2019-s, policia e telefonoi nga Xi’ani dhe e urdhëroi të kthehej në shtëpi.

Nuk i ka treguar askujt përse vendosi të ikte nga Kina. Telefonin e asgjësoi me qëllim që autoritetet të mos e gjurmonin. Eci këmbë për në kufirin jugor.

“Nuk do të kthehem në Kinë”, thotë ai. “Kjo është një rrugë pa kthim”.

Përktheu: Gent Mehmeti