Botë

Prokurorët gjermanë supozojnë që vajza britanike Madeline McCann ka vdekur

Një gjeman 43-vjeçar është duke u hetuar me dyshim për vrasje, ka njoftuar prokuroria gjermane. I dyshuar, që mediumet gjermane i janë referuar si Christian B, është aktualisht duke vuajtur dënim me burg.

Ai dyshohet se ishte në zonën ku vajza britanike Madeline McCann, trivjeçare atëbotë, ishte parë së fundi në pushime në Portugali në vitin 2007.

Policia është duke apeluar për ndihmën e publikut për të zgjidhur rsatin, pasi fillimisht ka njoftuar për një të dyshuar të ri të mërkurën.

Hans Christian Wolters, nga zyra e prokurorit publik në Braunschweig, ka thënë të enjten: “Ne supozojmë se vajza ka vdekur. Me të dyshuarin, ne jemi duke folur për një person që është dënuar për krime kundër vajzave të vogla dhe është duke shërbyer tashmë dënim të gjatë me burgim”.

Ai ka thënë se i dyshuari mendohet se kishte punë në furnizim me ushqim, por edhe kishte kryer plakçitje në hotele dhe në vende turistike dhe kishte shitur drogë.

Duke folur para deklaratave të prokurorëve gjermanë, zëdhënësi i familjes McCann ka thënë se prindërit e Madeleines, Kate dhe Gerry, kanë vlerësuar lajm të madh njoftimin për një të dyshuar.

Clarence Mitchell, që ka përfaqësuar familjen që kur Madeleine është zhdukur, ka thënë se në 13 vjet që nga atëherë nuk i kujtohet ndonjë moment kur policia ka qenë më e detajuar për një individ.

“Nga mijëra gjurmë dhe të dyshuar potencial që janë përmendur në të kaluarën, kurrë nuk ka pasur diçka më të qartë”, ka thënë Mitchell.

Policia britanike, që është duke punuar me policinë gjermane e portugeze, ka thënë se mbetet rast “ i personit të humbur” pasi nuk ka një dëshmi të qartë nëse Madeleine ka vdekur apo jo.

I dyshuari është përshkruar si i gjatë 180 centimetra me flokë bjond dhe trup thatanik në atë kohë. Policia edhe ka publikuar automjete – një kamper Volkswagen dhe një Jaguar – që dyshohet se kanë pasur lidhje me të arrestuarin, si dhe një shtëpi në Portugali.

Në ditën pas zhdukjes së Madelines në vitin 2007, i dyshuari ka bartur Jaguarin në emër të dikujt tjetër. Madeleine ishte zhdukur pak para ditëlindjes së katërt nga një apartament në Praia da Luz më 3 maj të vitit 2007, ndërsa prindërit me shoqëri ishin në një bar në afërsi. Zhdukja e saj kishte nxitur një kërkim masiv nëpër Evropë dhe hetimet e policisë kanë kushtuar më tepër se 11 milionë funte.

Është raportuar se i dyshuari ka qëndruar rregullisht në Algavre nga viti 1995 deri më 2007.