Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, do ta vizitojë Washingtonin, ka njoftuar emisari special amerikan në Siri, Tom Barrack, të shtunën.
Kjo do të jetë hera e parë që një president sirian viziton kryeqytetin amerikan.
Gjatë kësaj vizite, Siria “shpresohet” t’i bashkohet koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja për ta mposhtur Shtetin Islamik, ka thënë Barrack në margjinat e Dialogut Manama në Bahrejn, konferencë e përvitshme për sigurinë botërore dhe gjeopolitikën.
Një burim sirian ka thënë se vizita pritet të ndodhë në dy javët e ardhshme.
Sipas historikut të vizitave nga liderët e huaj në Departamentin Amerikan të Shtetit, asnjëherë një president sirian nuk e ka vizituar Washingtonin. Sharaa iu adresua në shtator Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Qëkur mori pushtetin nga Bashar al-Assadi në dhjetorin e shkuar, Sharaa ka bërë disa udhëtime në përpjekjet për të kthyer lidhjet e Sirisë me botën perëndimore.
Së fundmi, Siria e njohu edhe Kosovën si shtet duke u bërë vendi i 120-të që e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës.