Siria do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar për luftimin e grupit terrorist të njohur si Shteti Islamik, në një zhvillim që shënon një kthesë të rëndësishme në politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme, ka konfirmuar një zyrtar i lartë i administratës Trump.
Njoftimi erdhi pas takimit të presidentit amerikan Donald Trump me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë, vizita e parë ndonjëherë e një udhëheqësi sirian në SHBA.
Në një intervistë për emisionin “Special Report” në Fox News, al-Sharaa tha se vizita e tij shënon fillimin e një “epoke të re” në të cilën Siria do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump ka shprehur mbështetjen e tij për al-Sharaa, i cili deri vonë ishte shpallur si terrorist nga qeveria amerikane.
Me këtë hap, Siria bëhet shteti i 90-të që i bashkohet koalicionit global, i cili synon të eliminojë plotësisht elementet e mbetura të të ashtuquajturit Shtet Islamik dhe të ndalojë shkuarjen e militantëve të huaj drejt Lindjes së Mesme.
Pas takimit, një zyrtar i lartë i administratës konfirmoi gjithashtu se Departamenti i Thesarit, në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit dhe atë të Tregtisë, pritet të shpallë masa të reja për heqjen e kufizimeve ekonomike ndaj Sirisë për të ofruar “qartësi për investitorët” në lidhje me zbatimin e këtyre masave.
-
Siria ka penguar dy komplote të Shtetit Islamik për vrasjen e Al-Sharaas
-
Trumpi pret sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa
-
Sharaa i Sirisë mbërrin në SHBA për bisedime me Trumpin pas heqjes së sanksioneve
-
Trumpi dhe presidenti i Sirisë takohen të hënën në Shtëpinë e Bardhë
-
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë këtë muaj