Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka rikthyer shtytjen e tij që ushtria e vendit të rikthejë kontrollin e pavarur nga SHBA-ja në rast lufte, dhe ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit të blerjes së nëndetëseve me energji bërthamore.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëroi reduktimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut.
Të dielën në mbrëmje, Trumpi ka njoftuar se kishte udhëzuar Pentagonin që të “zvogëlojë ndjeshëm” stërvitjet e përbashkëta duke thënë se Koreja e Veriut, e pajisur me armë bërthamore, “nuk ka qenë kërcënuese dhe ka treguar respekt” dhe se ai ka një “marrëdhënie shumë të mirë me Kim Jong-un”.
Ndërkohë presidenti Jae Myung ka thënë të martën se Seuli zyrtar duhet të vazhdojë pa pengesa me transferimin e kontrollit operacional në kohë lufte mbi forcat e Koresë së Jugut nga SHBA-ja, një objektiv që ai dhe qeveria e tij e kanë pasur prej kohësh.
Lidhja mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së daton që nga Lufta e Koresë, e cila ka përfunduar me një armëpushim dhe jo me një traktat zyrtar paqeje në vitin 1953, çka do të thotë se dy Koretë teknikisht mbeten në gjendje lufte.
Trupat amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut që prej asaj kohe duke krijuar një prej bazave më të mëdha ushtarake jashtë SHBA-së.
-
Koreja e Jugut shkurton kohëzgjatjen e stërvitjeve ushtarake me SHBA-në
-
Trump paralajmëron zvogëlim të stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut pasi qëndroi jashtë luftës me Iranin
-
Koreja e Jugut propozon bisedime për t’i dhënë fund zyrtarisht luftës me Korenë e Veriut
-
Koreja e Veriut ka deri në 120 koka bërthamore, thotë ajo e Jugut
-
Trumpi thotë se planifikon të takohet me Kim Jong Unin këtë vit