Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koreja e Veriut ka deri në 120 koka bërthamore, thotë ajo e Jugut

Kim Jong un

Foto: Associated Press

Koreja e Jugut vlerëson se Koreja e Veriut zotëron mes 80 dhe 120 koka bërthamore, ka thënë të enjten ministri koreanojugor i Mbrojtjes, Ahn Gyu-back, duke dhënë një shifër dukshëm më të lartë se ajo e përmendur së fundmi nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se Pheniani zyrtar ka 57 armë bërthamore.

Ministri Gyu-back, u ka thënë ligjvënësve se përgjithësisht besohet se Koreja e Veriut ka rreth 80 deri në 120 koka bërthamore, megjithëse ai paralajmëroi se është e vështirë të përcaktohet një shifër e saktë.

“Zakonisht e vlerësojmë numrin rreth 80 deri në 120, por është shumë e vështirë të përcaktohet një numër i saktë”, ka thënë Ahn para një komisioni parlamentar.

Më vonë, Ahn ka sqaruar se kjo shifër bazohet në vlerësimet e organizatave private kërkimore dhe se ushtria e Koresë së Jugut nuk mund ta konfirmojë zyrtarisht këtë numër.

I pyetur për deklaratën e Trumpit një ditë më parë se Kim Jong Un zotëronte 57 “armë bërthamore shumë të fuqishme”, Ahn ka thënë se “shifrat duket se janë disi të ndryshme”.

Edhe Koreja e Veriut ka ndërtuar bazë ushtarake sekrete pranë kufirit me Kinën Botë Koreja e Veriut ka ndërtuar bazë ushtarake sekrete pranë kufirit me Kinën

Trumpi e ka bërë këtë deklaratë të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa fliste për liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe planet për t’u takuar me të më vonë këtë vit.

Koreja e Jugut tradicionalisht ka shmangur publikimin e vlerësimeve të detajuara mbi arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut dhe, në përputhje me politikën e saj të kahershme për çnuklearizimin, nuk e njeh zyrtarisht Pheniani zyrtar si vend me armë bërthamore.

Ahn e ka përsëritur këtë qëndrim kur është pyetur nëse qeveria e Koresë së Jugut e njeh Korenë e Veriut si një shtet të armatosur me armë bërthamore.

“Ne nuk mund ta njohim zyrtarisht këtë”, ka deklaruar ai.

Ai gjithashtu nuk ka pranuar të komentonte nëse referenca e Trumpit për 57 koka bërthamore nënkuptonte se SHBA-ja e njeh Korenë e Veriut si një shtet bërthamor, duke thënë se nuk do të ishte e përshtatshme që ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut të komentonte deklaratat e presidentit amerikan.

Ahn ka thënë se Koreja e Jugut do të vazhdojë të mbështetet te ombrella bërthamore e SHBA-së, në përputhje me politikën e saj të kahershme për të mos zotëruar armë bërthamore.

Komentet erdhën ndërsa Trumpi kërkon të ringjallë angazhimin me Kim pasi urdhëroi një reduktim të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut, të cilat ai i përshkroi si "armiqësore" ndaj Koresë së Veriut.

Edhe Trumpi kërcënon partnerët tregtarë të Iranit Botë Trumpi kërcënon partnerët tregtarë të Iranit

Korea e Veriut i është përgjigjur me ftohtësi këtij veprimi. Kim Yo Jong, motra me ndikim e udhëheqësit të Koresë së Veriut, ka thënë se stërvitjet e reduktuara mbetën provokuese dhe agresive pavarësisht kohëzgjatjes së tyre të shkurtuar.

Ajo ka hedhur poshtë çdo sugjerim se Pheniani do ta shihte këtë veprim si një gjest kuptimplotë të vullnetit të mirë dhe ka shtuar se nuk ishte në dijeni të ndonjë kontakti të fundit midis Trump dhe Kim, megjithëse ajo e përshkroi marrëdhënien personale midis udhëheqësve si "të shkëlqyer".