Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar të shtunën se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, flet për paqen teksa përsërit kërcënimet në të njëjtën kohë, shkruan agjencia Reuters.
“Cilit duhet t’i besojmë? Nga njëra anë, ai flet për paqen ndërsa në anën tjetër, na kërcënon me armët më të avancuara”, ka thënë Pezeshkian.
Ai është shprehur se Teherani zyrtar ka për qëllim t’i vazhdojë bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, porse nuk frikësohet nga kërcënimet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në kuadër të turneut të tij në rajonin e Lindjes së Mesme, ka deklaruar të premten se Irani e ka marrë një propozim amerikan rreth programit të tij bërthamor dhe e ka të qartë se duhet të lëvizë shpejtë.
“Ata e dinë se duhet të lëvizin shpejtë ose diçka e keqe ka për të ndodhur”, ka thënë Trump para gazetarëve në avionin presidencial “Air Force One”.
Megjithatë, kryediplomati iranian, Abbas Aragchi, ka shkruar në rrjetin social X se Teherani nuk ka pranuar asnjë propozim amerikan.
Deri më tani, janë mbajtur katër takime të drejtpërdrejta midis Iranit dhe SHBA-së, tre prej tyre në Muskat të Omanit dhe një në Romë të Italisë, të gjitha të ndërmjetësuara nga përfaqësuesit e Omanit. Përpara tyre, pati edhe disa takime indirekte.
Bisedimet synojnë ta kufizojnë programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së disa prej sanksioneve të rënda ekonomike që SHBA-ja i ka vendosur ndaj Republikës Islamike, teksa armiqësia ndërmjet dy vendeve po vazhdon për më shumë se katër dekada.