Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Polonia zgjat kontrollet kufitare me Sllovakinë për shkak të migracionit

Polonia i ka zgjatur kontrollet e përkohshme në kufirin e saj me Sllovakinë deri më 22 nëntor, në një përgjigje ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të emigrantëve për të hyrë nga territori sllovak. Sipas të dhënave të qeverisë sllovake të publikuara në tetor, numri i emigrantëve që mbërrijnë në Sllovaki, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, është njëmbëdhjetëfishuar, në afro 40 mijë këtë vit.

“Kontrollet kufitare zgjaten për periudhën nga 3 nëntori 2023 deri më 22 nëntor 2023”, thuhet në një rregullore të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Reuters.

Kontrollet e përkohshme në kufirin me Sllovakinë nisën më 4 tetor, me Varshavën e cila përmendi “një kërcënim serioz të imigracionit të paligjshëm në kufirin polako-sllovak”. Më pas masa u zgjat deri më 2 nëntor.

Sipas rregullores së fundit, kufiri mund të kalohet në tetë vendkalime rrugore, tri hekurudhore dhe njëmbëdhjetë vendkalime për këmbësorë.

Polonia, Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria, Austria dhe Gjermania janë pjesë e zonës së hapur kufitare Shengen të Bashkimit Evropian.

Në shtator, Gjermania prezantoi kontrollet në kufijtë me shtetet fqinje, pasi vendet përballen me migrimin në rritje dhe BE-ja pritet të hartojë një pakt të ri migracioni që do të rishikojë rregullat për trajtimin e emigrantëve.